Nga Mustafa Nano/
Duket se demokratët janë përgatitur për humbjen më 25 prill. Dhe nëse ka mes tyre që ende janë të papërgatitur, do të duhet ta shfrytëzojnë kohën që ka mbetur deri në ditën e zgjedhjeve pikërisht për këtë qëllim: duhet ta përgatisin veten. Ndryshe, do t’iu bjerë në kokë apansëz. Por nuk ka pse. Nuk iu falet. Gjërat janë kaq të qarta. O e dinë ata këtë gjë, o nuk e di njeri tjetër. Nëse nuk e dinë, atëherë po bëj unë një përpjekje për t’i ftilluar.
Ata nuk kanë qenë asnjëherë shumicë në këtë vend. Mund të ishin fare mirë shumicë, por i dhanë partisë një frymë e orientim pakice. Erdhën në pushtet në vitin 1992 me ndihmën e votave të mijëra njerëzve të së majtës, të cilët ishte e qartë se nuk u tërhoqën prej PD-së. Ishte vetëdija se ndryshimin nuk mund ta ndalnin (edhe po të mos e donin), ishte edhe dëshira e vullneti për të qenë në anën e duhur të historisë, që i shtrënguan të bënin një zgjedhje të panatyrshme e të fortë: ia dhanë votën partisë së Sali Berishës e të Azem Hajdarit. Por u mor vesh që në krye të herës se atyre do t’u duhej shumë pak, një zhgënjim fare i vogël, për t’u kthyer në origjinë. Dhe zhgënjimet jo vetëm ishin të shumta e të mëdha, por erdhën sa hap e mbyll sytë.
Një parti, edhe sikur t’ia vinte për qëllim programor vetes të provokonte antipati e animozitet në shoqëri, nuk do mundte ta bënte aq shpejt sa e bëri PD-ja. Tre muaj iu deshën. Në mars të vitit 1992 erdhi në pushtet, e në qershor humbi bujshëm zgjedhjet lokale. Ujërat elektoralë të PD-së zunë sakaq shtratin e vet. Votat “renegate” u kthyen në lumin e të majtës. Zunë të ripërvijohen shtretërit e ujërave elektoralë. Ishte viti 1997, sidoqoftë, që u dha formë një herë e mirë këtyre shtretërve. Më pas, asgjë nuk ka ndryshuar: përballë përroit elektoral të PD-së (të vrullshëm, por gjithsesi përrua) ka qenë lumi elektoral i PS-së (i qetë, por gjithsesi lumë).
PD-ja erdhi në pushtet edhe një herë tjetër. Së pari duke dhënë përshtypjen se kishte nxjerrë mësime nga historia. Berisha aktroi shkëlqyeshëm atë mot, duke i bërë shumë njerëz të besojnë se ai ishte bërë tjetër njeri, se kishte kryer kushedi se ç’seanca egzorcizmi dhe ishte bërë më në fund njeri normal. Ai hapi derën për të larguarit e të dëbuarit dhe afroi fytyra të tjera të reja, siç ishte edhe fytyra e Lulzim Bashës. (Sot Lulzim Basha është një mërzí e gjallë, por në vitin 2003 ndillte kërshëri e interes.) Por prapëseprapë, nuk pati ndonjë vërshim kushedi se çfarë ujërash elektoralë në shtratin e PD-së, edhe pse Fatos Nano qeverisi për tetë vjet në mënyrën më të keqe të mundshme, duke treguar se nuk ishte për atë punë.
Besonte verbërisht se çfarëdo që të ndodhte e sido që të qeveriste, nuk kish se si të humbte përballë Berishës. Për këtë arsye, nuk i dha rëndësinë e duhur çarjes të së majtës. Ai e lejoi dhe e provokoi këtë çarje. Dhe kështu, PD-ja erdhi sërish në pushtet në vitin 2003. Në vitin 2008 mori mandatin e dytë, ngaqë puqi telat me LSI-në. Pas rënies në vitin 2013, ajo nuk e ka marrë më veten. Pse? Sepse përroi elektoral i Berishës është tharë prej Bashës. Por edhe sepse përballë nuk është më Fatos Nano, përtac e moskokëçarës. Është Edi Rama, që është – për ta thënë me fjalët e tij – një kafshë politike e nivelit të Enver Hoxhës.
Ka vetëm një rrugë që Partia Demokratike të bëhet kompetitive. Ajo duhet të fitojë vëmendjen e atyre shqiptarëve, që nuk kanë qenë asnjë herë tifozë të saj. Mirëpo, nuk e ka bërë këtë. Ka ecur në një rrugë tjetër, të kollajtë, e shumë familjare e të njohur për demokratët. Është përpjekur ta mbajë mirë me bazën e partisë, edhe pse e di se ajo nuk i mjafton. E prandaj ka mbetur ende e njëjta parti, s’ka gjë se e drejton Basha. Këtij të fundit iu dha një shans i madh. I erdhi në dorë një parti e rëndësishme, anëtarët e së cilës janë mësuar të ndjekin nga pas prijësin e tyre.
E kishte në dorë pra, ta orientonte atë parti në një mënyrë tjetër, me synimin për ta bërë një parti shumice. Dhe gjëja e parë që duhej bërë ishte deberishizimi i saj. Mund ta arrinte këtë gjë edhe pa e shpallur si objektiv. Madje, edhe duke e ruajtur Berishën si mumie të historisë. Por Basha as që e pati në mendje. Përkundrazi, u duk se të vetmin merak kishte t’u dëshmonte shqiptarëve se partia ishte e Berishës në trup e në shpirt. Edhe e Azemit. Basha nuk harroi kurrë të shkonte një herë në vit te përmendorja e “heroit të demokracisë”. Shumica e shqiptarëve nuk donin më shumë se kaq për të mos e votuar.
Por Basha u dha më shumë. Ai ndërtoi opozitën më të dobët të Shqipërisë postkomuniste, një opozitë që do t’u rrinte mirë viteve ‘990. Provë e kësaj që sapo thashë janë – përveç shumë të tjerash – inkursionet në Europë për të denoncuar mafien e Tiranës, apo diskursi politik që ka adoptuar në Tiranë, të mbushur me shprehje të llojit: “mbi trupin tim do kalojë”, “Ramën do ta tërheqim zvarrë”, “kush guxon të prekë votën, luan me kokën”. Kjo i ka bërë shqiptarët ta shohin Bashën si një palo imitues të një shembulli të keq. Shqiptarët e rrëzuan Berishën (dhe Bashën me të), ngaqë i panë si të korruptuar e të dhunshëm, deri edhe vrasës.
E prandaj, atyre u vijnë zorrët te goja prej betejave të Bashës për votën e lirë, kundër korrupsionit, kundër gazit lotsjellës në protestat e opozitës etj. Këto janë beteja që Basha nuk mund t’i bënte pa kërkuar një ndjesë të thellë publike të tipit: “Të dashur qytetarë, ju kërkoj falje! PD-ja është përgjegjëse, pasi ka kontribuar në ndërtimin e një sistemi të korruptuar qeverisës. Ajo është përgjegjëse, pasi futi vjedhjen e grabitjen në praktikën elektorale shqiptare. Ajo është përgjegjëse, pasi është sjellë me opozitën ashtu si asnjë parti tjetër në pushtet në tridhjetë vitet e fundit; katër vrasjet në bulevard janë një njollë e zezë e pashlyeshme në historinë e vendit tonë; etj., etj.”
Në vend që ta pastronte biografinë 30-vjeçare të PD-së me një ndjesë të tillë publike, ai e nxiu edhe më atë biografi, duke marrë dy vendime fatalisht të gabuara. Urdhëroi djegien en bloc të mandateve të deputetëve të vet, dhe pas kësaj, e ndaloi PD-në të merrte pjesë në zgjedhjet lokale. Këto dy vendime janë etiketuar në publik në mënyra të ndryshme (sapo i quajta “fatalisht të gabuara”), por në fakt ato kanë qenë më shumë sesa kaq. Ato kanë qenë të rrezikshme, të çmendura, të ndyra, sepse synonin ta linin vendin përballë dy e vetëm dy alternativash: ose rrëzimin e qeverisë, ose luftën civile.
E dyta u ndalua falë ndërhyrjes të të huajve. Por edhe falë Sandër Lleshajt që, në vend që të vriste njerëz në bulevard (precedenti ishte), zgjodhi t’i “helmonte” me gaz lotsjellës. Por dështimi nuk duhet të na heqë nga mendja faktin që djegia e mandateve dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale janë gabimet më të pafalshme të ndërmarra nga politika shqiptare pas vitit 1997. Përsëris: ishin vendime që synuan luftën civile, e cila u shmang ngaqë Basha nuk mundi, e jo ngaqë Basha nuk donte. Shqiptarët e dinë kaq gjë. E nuk ia falin. E prandaj, s’do ta kenë për gjë t’ia japin votën të majtëve, sido që mund të mendojnë që këta e kanë bërë baltë.
Tani është radha e një gjëje tjetër që duhet ta dinë demokratët. Ka edhe një faktor shtesë që e ndihmon fitoren e së majtës. Kjo gjë e ka emrin “kodi zgjedhor”. Një parti e madhe do duhet të rritet/zvogëlohet me mijëra vota në një qark, në mënyrë që të fitojë/humbë një deputet në Kuvend. PD-së, për të shpresuar, do t’i duhet të marrë në çdo qark 20-30 mijë vota më tepër sesa në zgjedhjet e shkuara. Mirëpo, kjo nuk ka gjasa që të ndodhë. Sepse aritmetika elektorale është një puzzle i njohur tanimë. Edhe sikur qielli e toka të kthehen përmbys, PS-ja nuk mund të marrë më pak se 3 deputetë në Shkodër, 3 në Lezhë, 18 në Tiranë, 10 në Fier, 6 në Korçë, 4 në Berat, 7 në Elbasan, 2 në Gjirokastër, 8 në Vlorë, 1 në Dibër, 1 në Kukës, 7 në Durrës etj. Këto janë shifra, poshtë të cilave PS-ja e ka të pamundur të zbresë, edhe sikur të dojë. Dhe kështu, në versionin më të keq, PS-ja nuk zbret dot nën 70 deputetë.
Është lumi i saj i qëndrueshëm elektoral (që nuk ka të bëjë fare me mënyrën se si ajo ka qeverisur) dhe kodi zgjedhor që e gatuajnë këtë situatë, e cila mund të përmbyset veç nga një proçkë kolosale e Edi Ramës (fjala vjen, nëse zbulohet se ai ka porositur që vaksinat kundër COVID-it të kenë cianur në përmbajtjen e tyre). Ose mund të përmbyset nga një erë e fortë ndryshimi. Por këtë erë ndryshimi nuk mund ta krijojë partia e Sali Berishës dhe Azem Hajdarit, që drejtohet prej Lulzim Bashës. Prandaj, më 25 prill 2021 demokratët nuk ka kuptim të presin që të vijë Lulzim Basha në pushtet. Çdo gjë e çuditshme mund të ndodhë atë ditë (ndoshta mund të zhduken edhe Trump-istët nga faqja e dheut), por jo ndërrimi i pushtetit në Shqipëri.
Kështu janë gjërat, të dashur demokratë.