Reali i Madridit vijon të tregojë se është një ekip i brishtë dhe nuk arrin t’u japë vazhdimësi rezultateve këtë sezon, pasi mbrëmjen e sotme pësoi një tjetër humbje në shtëpi, ndaj valencianëve të Levantes. Sfida për skuadrën e Zinedine Zidane u komplikua që në minutën e 9’ kur mbrojtësi brazilian Eder Militao u ndëshkua me karton të kuq dhe la të tijtë për më shumë se 80 minuta me një lojtar më pak. Megjithatë duke shfrytëzuar freskinë e fillimit, Los Blancos gjetën golin e avantazhit në minutën e 13’ me anë të Marcos Asensios, i cili u shërbye saktë nga mesfushori gjerman Toni Kroos dhe dërgoi topin në rrjetë.
Me kalimin e minutave Levante nisi të shfrytëzojë epërsinë numerike dhe gjeti golin e barazimit në minutën e 32-të me anë të Morales. Në minutën e 60’ në fushë zbriti mesfushori shqiptar Enis Bardhi, i cili menjëherë fitoi një 11-metërsh, por nga pika e bardhë e penalltisë shpërdoroi sulmuesi Roger, pasi gjuajtja e tij u ndaj nga Courtois. Gjithsesi goli për Levanten ishte rrotull dhe në të 72-tën ishte sërish Barddhi që dha një asist të bukur për Roger, ndërsa këtë herë sulmuesi nuk gaboi përballë portierit madrilen, duke shënuar golin e dytë për Levanten.
Reagimi i Realit nuk ishte në nivelin e pritshmërive, kjo edhe për faktin se prej minutash luanin me një lojtar më pak. Vërshëllima finale e arbitrit la në fuqi rezultatin 1-2 për Levanten, ndërsa tani Reali jo vetëm që del nga gara për titull, por rrezikon të arrihet nga Barcelona në vendin e dytë. Më herët Sevilla regjistroi një tjetër fitore, të tretën radhazi në kampionat, pasi ia doli të triumfojë me shifrat 0-2 në transfertën ndaj Eibarit. Lucas Ocampos me penallti në pjesën e parë dhe Jordan në të dytën ishin autorët e golave për andaluzianët, që momentalisht shkojnë në vendin e tretë.