Dy vëllezërit Myrtollari, nga Turani i Korçës, të kthyer nga emigracioni në Greqi, falë punës së tyre dhe mbështetjes së AZHBR-së arritën të realizonin ëndrrën e tyre, për t’i dhënë jetë një resorti me kuaj. Falë eksperiencës së Hilmiut, si garues e kampion në një sërë turnesh në Greqi, jepen mësime kalërimi për fëmijët e të rinjtë dhe gjithashtu organizohen karvane për udhëtime turistike në zonën përreth.

Kryeministri Edi Rama ishte në Turan të Korçës, për të parë nga afër këtë atraksion të ri turistik, për të cilin thotë se është “një tjetër arsye për të ardhur këtu”.Pasi u kthyen në 2013-ën nga emigracioni, pasioni dhe dëshira  i ka shtyrë vëllezërit Hilmi dhe Elton Myrtollari për të krijuar këtë destinacion tërheqës për familjet nga i gjithë vendi. “Pasionin e tyre e kanë materializuar në këtë investim, falë dhe mbështetjes së AZHBR-së. Është një invesitm në funksion të turizmit në Bashkinë e Korçës. Vëllezërit parashikojnë të bëjnë dhe shëtitje turistike me kuaj në fshatrat e Korçës, duke shtuar një produkt turistik për vizitorët që zgjedhin Korçën si destinacion”, – shprehet kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo.