Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, ka bërë të ditur se nata e Vitit të Ri ka kaluar “me të vërtetë qetë” krahasuar me vitet e mëparshme. Duke folur në një konferencë për media nga spitali shtetëror “Nënë Tereza” në Shkup, Filipçe tha se “kjo do të thotë se masat për të mos festuar dhe ato për ndalimin e grupimeve janë respektuar” dhe se kjo është një “meritë e madhe” e qytetarëve.
Në qendrat ku trajtohen pacientët e prekur nga koronavirusi i rCOVID-19), njoftoi Filipçe, tashmë më shumë se një javë ka pasur një numër thuajse të njëjtë të shtretërve të lirë, shenjë e cila sipas ministrit tregon situatën e qëndrueshme epidemiologjike. I pyetur nëse autoritetet kanë marrë ndonjë garanci për sigurimin e dozave të vaksinës COVID-19 në muajin shkurt, shefi i shëndetësisë përmendi kompaninë amerikane Pfizer, e cila ka prodhuar vaksinën së bashku me kompaninë gjermane BioNTech, por nuk shpalosi shifra të dozave duke shtuar se autoritetet “e dinë sa doza do të arrijnë në vend në muajt shkurt, mars dhe prill”.
Filipçe foli për media pasi vizitoi Klinikën Universitare të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Shkup, i cili shoqërohej nga drejtoresha e Klinikës për Sëmundje Infektive, Milena Stevanoviq dhe drejtori i Klinikës Universitare të Toksikologjisë, Ridvan Bajrami. Ai njoftoi se dy foshnjet e para që kanë lindur në vitin 2021, përkatësisht një minutë pas mesnate, janë dy meshkuj, ndërsa disa minuta më vonë ka lindur një foshnje femër.
Drejtoresha Milena Stevanoviq, nga ana e saj, njoftoi se këtë mëngjes në klinikën ku trajtohen pacientët me COVID-19 janë të shtruar gjithsej 122 pacientë, prej të cilëve 100 janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Ajo po ashtu theksoi se ky është numri më i ulët i të shtruarve në spital që nga shpërthimi i pandemisë. Nga ana tjetër, drejtori Ridvan Bajrami foli për gjendjen gjatë natës së Vitit të Ri, duke njoftuar se mbrëmë në klinikën që drejton ai janë trajtuar dhjetë pacientë, prej të cilëve gjashtë ishin të mitur.