Arena kombëtare “Air Albania” do të jetë vendi nga ku do të nisë fushata e vaksinimit kundër virusit Covid-19. Epidemiologu Dritan Ulqinaku tha për Euronews Albania se sasia prej 500 mijë dozash është kontrata e parë e firmosur por priten edhe kontrata të tjera, që do të thotë se të gjitha grupet e riskut do vaksinohet, që nga mjekët, mësuesit, policët, dhe personat mbi 70 vjeç. Por sipas mjekut, vaksinën do të kenë mundësi ta përfitojnë të gjithë personat mbi 50 vjeç dhe kushdo që dëshiron që ta bëjë këtë vaksinë.
“Do fillojmë tek ‘Air Albania’ dhe do hapim dy postacione të tjera të mëdha, një në Shkodër, një në Vlorë. Kushtet e vaksinës na bëjnë që të zgjedhim të tilla vende, por futja e vaksinave të tjera që kërkojnë kushte më pak specifike mbajtjeje, do të çojë në zgjerimin e këtij procesi edhe në qendra shëndetësore”, shpjegoi mjeku. Z. Ulqinaku tha se shpërndarja e vaksinave do të shtrihet në disa muaj, të kushtëzuar sipas tij edhe nga kompania ‘Pfizer’, duke nisur nga 10 mijë dozat e para në janar e më tej në muajt në vazhdim me nga 30-40 mijë doza.
Ai rekomandoi që vaksina të bëhet edhe nga ata persona që e kanë kaluar COVID-19, edhe pse siç tha, në këto raste nuk ka pse të ketë ngut. I pyetur nëse është e nevojshme një mbyllje me Greqinë, ku janë shfaqur rastet e para të mutacionit të COVID-19, siç ndodhi me Mbretërinë e Bashkuar, mjeku tha se është kundër mbylljes së kufijve. Sipas tij, ky është nonsens në të gjithë botën, gjë që u vërtetua më së miri vitin e shkuar kur gjitha bota i mbylli kufijtë me Kinën, por virusi arriti gjithsesi të depërtonte në të gjithë botën.