Fermerët në gjithë vendin do të asistohen dhe ndihmohen nga stafi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për të aplikuar online në portalin e-Albania, në përfitimin e naftës falas (pa taksë akcize, pa taksë qarkullimi dhe pa taksë), për punimin e tokës me mekanikë e pajisje bujqësore. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi ishte në Vlorë dhe bashkë me kryetarin e bashkisë, Dritan Leli ndoqën fillimin e trajnimit të stafit të Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor (AREB) që do të ndihmojë fermerët nga afër për të aplikuar online në portalin e-Albania, në përfitimin e naftës falas.
Për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimin Rural sfida e këtij viti është shpërndarja e naftës falas për të gjithë fermerët që kanë një NIPT. Ky proces nis në 15 janar deri më 25 shkurt 2021 dhe MBZHR ka marrë të gjitha masat për zbatimin me sukses të këtij premtimi, që ka marrë qeveria për fermerin. Fermerët përfitojnë naftë falas sipas strukturës së mbjelljes që kanë dhe mekanizimit që bëjnë në sipërfaqen e mbjellë me një kulturë të caktuar bujqësore.
Qeveria në mbështetje të kësaj skeme ka adresuar një fond prej 1 miliard lekë. Fermerët me NIPT marrin 1 litër naftë 54 % më lirë nga sa e merrnin më parë. Në total, për një litër naftë të përdorur për punime bujqësore, zbriten 67 lekë. Lehtësimi nga barra fiskale i naftës që përdoret për bujqësinë është një lajm i mirë për mbi 70 mijë fermerë në të gjithë vendin, nga të cilët 47 600 që kanë aktualisht NIPT-in e fermerit, janë automatikisht përfitues potencialë të skemës, ndërsa pjesa tjetër pritet të formalizohet brenda këtij viti.