Që prej datës 15 janar, ka nisur aplikimi i skemës së mbështetjes me naftë për fermerët në të gjithë vendin. Kryeministri Edi Rama në një video informuese, nxit të gjithë fermerët që të aplikojnë për të marrë falas sasinë e naftës që deri dje e paguanin si akcizë, taksë qarkullimi e taksë mjedisi brenda çmimit të tregut. “MIRËMËNGJES, dhe me respektin më të madh për të gjithë ata që punojnë tokën, e me nxitjen që të aplikojnë në e-Albania për të marrë falas sasinë e naftës që deri dje e paguanin si akcizë, taksë qarkullimi e taksë mjedisi brenda çmimit të tregut, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”, shprehet Rama.
Fermerët të cilët kanë aplikuar për naftë bëjnë thirrje që të gjithë të bëhen pjesë e kësaj skeme. Duke treguar procedurat që ka ndjekur, njëri prej fermerëve, Viktor Dervishi tha se “kemi kaq vite që nuk kemi marrë as naftë as lek nga shteti. Këtë herë është shumë e vërtetë”. “Duhet të aplikojnë pasi është një shans shumë i mirë dhe nuk duhet humbur”, shprehet një tjetër fermer.
Gjithashtu, edhe një tjetër fermer i cili apelon që të gjithë të bëhen pjesë e kësaj skeme shprehet se “kjo na ul koston e punës dhe të çmimit. Më përpara paguanim naftën me 160 lekë”. Skema e përfitimit të karburantit për bujqësinë mund të përfitohet nga të gjithë fermerët me NIPT fermeri ose subjekteve me NIPT tregtar (persona fizike apo juridikë) me veprimtari të prodhimit bujqësor, të cilët kanë në pronësi apo në përdorim ose me qera tokë bujqësore, disponojnë ferma në madhësi jo më pak 0.4 Ha, e përbërë nga parcela me sipërfaqe jo më pak se 0.1 ha secila, si dhe që punojnë tokën dhe i shërbejnë kulturave bujqësore me mjete të mekanizuara.
Nëpërmjet kësaj mbështetje, fermerët do të mund të përfitojnë mesatarisht nga 70-100 L naftë falas për çdo hektarë tokë të mbjellë, në varësi të kulturave bujqësore. Aplikimi bëhet online në portalin e-Albania deri në 25 shkurt 2021.