Italiani Francesco Beccheti vijon të mbetet një emër i dyshimtë i botës së biznesit, jo vetëm për burimin e të ardhurave të tij, por për mënyrën se si vepron e atakon të gjitha shtetet, nga të cilat kërkon të përfitojë përmes gjyqeve të panumërta të arbitrazhit.
Kështu, pas anulimit të dy koncesioneve nga qeveria Rama, Beccheti iu drejtua Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, e cila vendosi t’i japë një kompensim 107 milionë euro.
Por këtë që po bën sot Beccheti me Shqipërinë, kërkesa për dëmshpërblime me shuma të majme nga autoritetet shtetërore, rezulton ta ketë bërë edhe me vendin e tij, Italinë.
Një histori gjyqesh të panumërta ku Beccheti kërkonte të përfitonte shuma marramendëse, e kemi parë 10 vite më parë, në çështjen e tij kundër ENEL, gjigandit shtetëror energjitik italian.
Në 24 Mars 2009, gjykata shqiptare i njohu kompanisë së Becchettit, Albania BEG Ambient sh.p.k, të drejtën e kompensimit nga ENEL në shumën 433 milion euro. Çështja kaloi për shqyrtim më pas edhe në disa gjykata ndërkombëtare.
Kështu, biznesmeni italian duket se ka një historik të errët të vetin, me dëmet financiare që kërkon t’u shkaktojë përmes gjyqeve të arbitrazhit, shteteve ku operon, përfshirë këtu edhe Italinë, vendin e tij, duke ngritur dyshime të forta se në vend të një biznesmeni, kemi të bëjmë me një mashtrues profesionist.
Përfitimi i parave nga qeveri dhe shtete përmes gjyqeve të këtilla, duket të jetë një sport që Beccheti ia ka marrë dorën, për sa kohë përmes tyre, siguron praktikisht dhe vazhdimisht, jetesën e tij./Alpe