Nga Fabio James Petani & Manlio Graziano

Në librin e tij të vitit 2009 “Gjeolitika e emocionit”, Dominik Moisi e ndau botën në 3 rajone emocionale: territorin e shpresës (vendet në shfaqje), territorin e poshtërimit (bota e Islamit) dhe territorin e frikës (fuqitë e vjetra, i njohur gjithashtu si “Perëndimi”).

Por shumë gjëra kanë ndryshuar që nga viti 2009. Sipas Moisi, territori i frikës është i banuar nga ata që “janë të druajtur për të tashmen, dhe që presin që e ardhmja të bëhet edhe më e rrezikshme”. Ndoshta sot duhet të kuptojmë se frika e ka pushtuar botën.

Thënë ndryshe, ne jetojmë në një kohë e cila është e organizuar nga frika e globalizuar, dhe kjo në aspektin politik nuk është një shenjë e mirë. Fuqitë e vjetra mbeten pionieret e këtij emocioni të globalizuar. Shqetësimi mbi të tashmen, dhe bindja se e ardhmja vetëm mund të përkeqësohet, janë materializuar për dekada në dy fusha të sjelljes masive, natyra e të cilave është thelbësisht antisociale:rritja e shfrenuar e shpenzimeve publike (dhe borxheve), dhe rënia e nivelit të lindjeve.

Dhe lidhja mes tyre është se kur nuk pritet të vijë ndonjë e mirë nga e ardhmja, është më mirë t`a shpenzosh gjithçka menjëherë, madje edhe ato që nuk i ke. Në mënyrë të ngjashme, është më mirë të mos kesh fëmijë, të cilët do të vuanin nga barra e borxheve të krijuara.

Në territorin e frikës, thirrja “secili për vete” jehon në mënyra negative. Disa ditë pas mbërritjes së pandemisë në Francë, presidenti Emanuel Makron e cilësoi “kthimin e frikës”, si një shans për të ri-zbuluar solidaritetin dhe “vlerat njerëzore”. Megjithatë, natyra dhe historia sugjerojnë të kundërtën:frika në lejon rrallë të rilidhemi me “vlerat njerëzore”.

Të mbrohesh nga rreziku është njerëzore, pasi ai është një reagim spontan i species tonë, i udhëhequr nga instinkti i vetë-ruajtjes. Një formë e tillë individualiste e rezistencës shpesh nuk ka tipare konstruktive, bashkëpunuese.

Kur i ikni një rreziku, është më lehtë të largoheni vetë, në vend se t`a shpëtoni fqinjin tuaj.

Pse optimizmi dominues i viteve 1950-1960, e pa me besim të ardhmen, duke prodhuar më shumë sesa kishte konsumuar, duke sjellë një bum lindjesh? Pasi procesi i rindërtimit të pasluftës u bë me një “mrekulli ekonomike” që e bëri jetën më të lehtë dhe më të begatë. Gjatë ‘glorieuses trente’ (30 viteve të lavdishme, idioma e përdorur për lulëzimin ekonomik të Francës), përvoja na mësoi se ne mund të kalonim shpejt nga blerja e këpucëve, tek një biçikletë, një motor dhe më pas një makinë.

Pastaj blemë makina mjaft të mëdha për familjen, dhe i përdorëm ato për të shkuar në destinacione turistike, ku do të qëndronim në hotele të përballueshme nga xhepi ynë, dhe ku përfundimisht do të blinim një shtëpi pushimi. Gjithçka na dukej aq e lehtë.

Pastaj, në vitin 1973, erdhi kriza e parë. Miti i një rritje eksponenciale të mirëqenies, nisi të pësonte plasaritjet e para. Në atë kohë nisën të shfaqeshin në horizont konkurrentët e parë të rinj, që u quajtën me kujdes “vendet e porsa- industrializuara”.

Në fund të asaj dekade, Koreja e Jugut u bë ndërtuesja e dytë e anijeve në botë, pas Japonisë, me një prodhim dy herë më të madh se sa Gjermania, dhe 4 herë më të madh se ai i Shteteve të Bashkuara. Dominimi botëror i fuqive të vjetra po përjetonte një krizë.

Këto fuqi nuk mund të shfrytëzonin më të pa shqetësuara të gjitha burimet e tregut botëror, por duhej t’i ndanin ato me konkurrentët në zhvillim, gjë që do të thoshte se edhe përfitimet që rrjedhin nga ky shfrytëzim i patrazuar, nuk mund të vazhdonin të ishin të njëjtat.

Ne e dimë që frika e humbjes së asaj që kemi gjeneron më shumë akth,sesa frika e gjenerimit të pasurive të reja që nuk i kemi në të tashmen. Ajo që një lexim gjeopolitik i shton këtij ndërgjegjësimi, është fakti se një frikë e tillë nga humbja e asaj atë që njerëzit mendojnë se u takon,shkakton reagime të ashpra.

Dhe kjo gjë nxit nevojën për t’u mbështetur tek udhëheqësit që premtojnë t’u japin qytetarëve atë që u është marrë. Prandaj njerëzit i besojnë fjalëve të atyre që u premtojnë se do t`a bëjnë vendin e tyre sërish madhështor si dikur. Ata e bëjnë këtë duke sulmuar publikisht grupet shoqërore që supozohet të jenë përgjegjëset kryesore për ankthet tona: emigrantët, myslimanët, hebrenjtë, korporatat e mëdha, të pasurit, masonët, Wall Street, Big Pharma, globalistët, Bill Gejts, Vatikanin etj.

Kriza financiare e vitit 2008, dhe sidomos rimëkëmbja e ngadaltë dhe jo e plotë prej saj e kanë shndërruar frikën sociale në një armë politike në duart e votuesve. Brexit, zgjedhja president e Donald Trumpit në vitin 2016, zgjedhjet italiane të vitit 2018, janë vetëm disa shembujt.

Joe Biden i fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA në vitin 2020, me më shumë se 81 milion vota. Por pavarësisht gjithë skandale dhe të parit nga 2fajësime, Trump mori gjithsesi 74 milionë vota. India, Filipinet, Brazili, Rusia, Venezuela dhe në një farë mase edhe Kina e kanë braktisur territorin e shpresës.

Përpjekja e vendeve myslimane për t’u çliruar nga territori i poshtërimit, u dëmtua nga shtypja e përgjakshme e versioneve të ndryshme të “Pranverës Arabe”. Që të gjithë konverguan drejt territorit të frikës. Tukididi, Aristoteli, Makaveli, Hobsi dhe shumë të tjerë, kanë shpjeguar se si frika ishte një mjet përmes të cilit princërit kontrollonin nënshtetasit e tyre.

Sot, frika është bërë ndjenja mbizotëruese e qytetarëve, të cilët presin “receta mrekullie” nga princat e tyre. Por siç kemi qenë dëshmitare vitet e fundit, ato “receta” nuk po bëjnë asgjë më shumë sesa po e bëjnë botën edhe më të frikshme. / “The Conversation” – Bota.al