Nga Enver Robelli/
1. Ideali i djegur
Në vitin 2021 disa politikanë të Kosovës, të frikësuar se do zhduken nga skena, flasin (vetëm) për të kaluarën. Por me një hile të madhe: duan t’i fshijnë nga kujtesa e qytetarëve 20 vite keqqeverisje dhe afera me krim e korrupsion. Dhe duan ta bindin miletin se jemi në vitin 1999 dhe këta ende nuk i kanë hequr uniformat dhe duan të qeverisin për të mirën e përgjithshme. Sado të larta të kenë qenë idealet e dikurshme, shumica e atyre që sot thirren në luftë për të fituar vota, janë keqpërdoruesit dhe shkatërruesit më të mëdhenj të Kosovës në 20 vitet e fundit. Me këtë “ideal” identifikohen, për fajin e tyre dhe të askujt tjetër. Sepse e kanë hedhur në bërllok idealin e dikurshëm (disa prej tyre madje këtë ideal e kanë braktisur edhe gjatë luftës).
Andaj sot përpiqen t’ia nxirrni sytë njëri-tjetrit me akuza barbare duke u etiketuar se cili ka pasur më shumë kontakte me Beogradin. Çfarë niveli primitiv! Çfarë mizorie! Në çdo fushatë elektorale gjuha bëhet pak më direkte, më e ashpër, por të përdoren këso akuzash pa asnjë fakt dhe të përdoren tash, më 2021, pra dy dekada pas luftës, – kjo tregon mjerimin moral dhe zvetënimin intelektual të llafazanëve partiakë që thirren në heroizma lufte.
Ata që s’kanë përgjigje për të ardhmen, flasin për të kaluarën. Duke i dhënë vetes rol kryesor në të dhe duke përjashtuar nga rrëfimi çdo kontribut tjetër, çdo bazë institucionale të Kosovës, çdo shtresë administrative dhe intelektuale. Faleminderit që e çliruat Kosovën (rolin e NATO-s po e përjashtojmë, që të ndiheni edhe më triumfues), por mos prisni t’ju falënderojë ndokush për plagët e pasluftës që ia keni shkaktuar Kosovës.
2. Çfarë kanë për të na thënë viktimat?
Më 10 qershor 2021 bëhen 22 vjet nga çlirimi i Kosovës. 22 vjet! Ata që u lindën në vitet e para të pasluftës, tashmë janë shtetas të Republikës, qytetarë me të drejtë vote. Ata dhe të gjithë të tjerët gjatë dy dekadave të fundit kanë qenë dëshmitarë se si kujtimi për vuajtjet në luftë është ritualizuar. Po aq sa është ritualizuar edhe lartësimi i atyre që patën më shumë guxim se të gjithë të tjerët dhe luftuan për çlirimin e vendit. Një përmendore këtu, një atje, kryesisht pa asnjë kriter estetik dhe urban. Vizita te varret e viktimave dhe kryengritësve, fjalime stereotipe, formulime patetike, përvjetorë betejash që më shumë ngjajnë në tubime elektorale. Me kaq mbaron kultura kosovare e kujtimit. Kështu gërryhet dhe dëmtohet kultura e kujtimit.
Kosovës i duhet një ditë për kujtimin e viktimave. Le të hiqet njëra nga ato ditët e tepërta që e ngarkon «kalendarin festiv» gjatë vitit. Në atë ditë duhet të flasin viktimat. Jo politikanët. Jo cinikët e çarshisë. Jo yjet e rrejshëm publikë. Zhurma e tyre e mbyt zërin e viktimave gjatë gjithë vitit. Në një mbledhje solemne të parlamentit çdo vit mund të ftohej një figurë që ndan me opinionin përvojat e së kaluarës së hidhur. Folësi mund të jetë viktimë, mund të jetë edhe dikush që u ka ndihmuar viktimave. Për shembull një shqiptar nga Kukësi, Kërçova apo Korça që u ka ndihmuar refugjatëve të Kosovës më 1999. Mund të ftohet Natasha Kandiqi. Ose Mirosllav Filipoviqi, një gazetar i guximshëm serb që pati shkruar për kamionët me kufoma të shqiptarëve në Serbi. Mund të ftohet një mjek që u ka ndihmuar të plagosurve në luftë. Ndonjë punëtor i Shoqatës “Nënë Tereza”. Një dinjitar fetar që u ka qëndruar afër viktimave. Një arsimtar që ka mbajtur mësim edhe në kushte lufte në zonat e luftës.
Shoqërisë kosovare i duhet kjo perspektivë e rrëfimit, jo fjalimet boshe të politikanëve që bëhen patriotë para zgjedhjeve me shpresën se pas zgjedhjeve do të kthehen në pushtet dhe vazhdojnë vjedhjen aty ku e lanë. Boshllëku i fjalimeve të politikanëve duhet të ndalet me fjalime personale dhe emocionale të viktimave, sepse kësisoj e përjetuara bëhet e prekshme dhe e imagjinueshme për gjeneratat e sotme.
3. Rrena e radhës
Me vite të tëra qarqe të ndryshme politike dhe propagandistike në Kosovë përhapnin një “lajm”: Hashim Thaçi ka vjedhur xhinsa (farmerka) në Zvicër. Asnjë dëshmi nuk është ofruar për këtë qe 20 vjet. Por si lajm i rrejshëm ka pasur efekt te njerëzit naivë. Këto ditë – ndonëse jo i krahasueshëm si rast, por si metodë – në mediat sociale u përhap një montazh, një sajesë e radhës: Albin Kurti i paskësh thënë gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) se kush e mbështet Amerikën dhe Ibrahim Rugovën është kundër Kosovës. Këtë deklaratë Kurti e paskësh dhënë në fund të viteve 90-të. Si “dëshmi” sillet kinse një kopje e ballinës së gazetës gjermane dhe një foto ku shihen Kurti, një grua e panjohur (ndoshta Doris Pack?) dhe Bujar Dugolli.
Nuk duhet shumë fantazi për ta kuptuar se bëhet fjalë për një lajm të rrejshëm. Së pari: në fund të viteve 90-të “Frankfurter Allgemeine Zeitung” nuk ka botuar fotografi në ballinë. Së dyti: në fund të viteve 90-të Kurti nuk ka qenë aq i rëndësishëm si politikan, që të zë vend në faqen e parë të një gazete gjermane. Së treti: shkrimi (fonti) i titullit është ndryshe nga shkrimi tradicional i FAZ. Së katërti: manipuluesi i lajmit ka qenë aq amator, saqë në fund të titullit e ka vendosur një pikë. Së pesti dhe si dëshmi përfundimtare: një shikim në arkivin e gazetës “Frankfurter Allgemeine Zeitung” tregon qartë se një lajm i tillë nuk ekziston. Në vitin 1999 Kurti është përmendur njëherë nga FAZ, në vitin 2000 dy herë, por në kontekst krejt tjetër.
Kundër lajmit të rrejshëm reagoi në Twitter edhe korrespondenti i FAZ për Europën Juglindore, Michael Martens. Ai shkroi se një artikull i tillë nuk është botuar kurrë në FAZ. Pra, kemi të bëjmë me një lajm të rrejshëm.
Në prag të zgjedhjeve do të ishte mirë që në betejën e pistë të mos keqpërdoren mediat e huaja, duke iu imputuar atyre tekste që nuk i kanë shkruar kurrë. Si çdo politikan edhe Albin Kurti duhet t’i nënshtrohet kritikës për veprimet e tij, por metoda si kjo e fundit mund t’u kthehet bumerang sajuesve. Siç është kthyer bumerang me vite të tëra propaganda se Hashim Thaçi paskësh vjedhur xhinsa në Zvicër.