Nga Alfred Peza/
Opozita shqiptare nuk ka një kalë për luftën e saj politike për pushtet, që do ta çonte hap pas hapi, drejt fitores në zgjedhje. Nuk ka patur kurrë një të tillë, që nga 2013 kur doli në opozitë dhe deri më sot. Thjeshtë ka marë borxh, me qera apo në përdorim deri tani vetëm kuajt e të tjerëve, sa për të zhvilluar betejat e saj sporadike përmes kauzash të rreme.
Mungesa e një “kali” të tillë e bën lidershipin e opozitës sonë, të mos jetë konsistente në vijimësi, në përpjekjet e saj të pandalshme për të arritur patjetër tek fitorja. Nuk është e programuar, nuk ka strategji dhe nuk krijon frymën e madhe të ndryshimit, sepse gjatë gjithë kohës vetëm improvizon me çfarë ti dalë përpara. Ndaj duket sikur lutet veç për përgjime, se mos shpëtimi, i vjen prej tyre.
Shembulli më i fundit për ta kuptuar më mirë këtë filozofi opozitare, është ajo e debatit mediatik e politik të nisur pas publikimit të përgjimeve të disa pjestarëve të “Ndragetës” me politikanë dhe sekserë në Itali. E bukura është se deri tani të gjithë të përmendurit, janë njerëz pranë opozitës dhe Presidencës në Shqipëri, si lidhje të bëra publike ndër vite ose të ekspozuara prej tyre rishtas.
Nëse i lexon me vëmendje ato copëza bisedash të përgjuara nëpër kafene dhe restorante në anën tjetër të Adriatikut, e kupton se ke të bësh thjeshtë me muhabete tavolinash, ku askush nuk e ka të ndaluar të fantazojë. Por asnjëra prej këtyre bisedave deri tani, nuk të çon tek kontakti i tyre direkt me ndonjë zyrtar në Tiranë, apo tek ndonjë provë e pakundërshtueshme që ka sjellë ndonjë pasojë penale. Përkundrazi! Kemi të bëjmë thjeshtë me fjalë dhe me asnjë fakt a provë konkrete juridike.
Kjo është arsyeja se përse ambasadori italian në Tiranë Fabrizio Bucci, u detyrua të reagonte duke thënë se: “Italia është e do të jetë gjithmonë, përkrah institucioneve të Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mbështetje maksimale autoritetit gjyqësor shqiptar për shqyrtimin e plotë të çdo episodi të korrupsionit apo të paligjshmërisë, nga cilido qoftë kryer dhe prej ngado rrjedh. Le t’i lemë gjyqtarët të kryejnë në paqe punën e tyre, me qetësi e në mënyrë të pavarur. U përket atyre të dallojnë faktet nga fjalët”.
Tymnaja e radhës që po mundohet të ngrejë opozita, nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën, por vetëm me lojën politike të ditës në funksion të zgjedhjeve të pranverës. Mjafton që për këtë ti referohemi edhe rasteve të tjera të ngjashme, të cilat opozita jonë është munduar që ti shalojë në 7-8 vjet, si kuaj betejash të humbura.
Ky rasti i fundit me përgjimet e “Ndragetës”, të kujton historitë e përgjimeve të sajuara opozitare, përmes personazhesh të njohura tashmë publikisht në rastin “Babalja”. Edhe atëherë përmes disa muhabeteve të sajuara nëpër kafene, u tentua të bëhej politikë zyrtare përmes selisë së PD, me qëllimin e vetëm nxitjen e një krize politike në mazhorancë e mundësisht deri në rrëzimin e qeverisë së Kryeministrit Edi Rama.
Fundi kësaj historie tragjikomike dihet tashmë dhe ata që në darkë u duartrokitën si heronjtë e një zbulimi tronditës, përfunduan vetë në bankon e të akuzuarve, duke rënë në kurthin që kishin ngritur për ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj. Një histori tipike e opozitës shqiptare, e cila në mungesë të kalit të vet të luftës politike për pushtet, mer borxh, vjedh apo sajon “kuaj” imagjinarë për të na i shitur si të vërtetë. Duke harruar se kali i huaj, herët ose vonë, të lë në baltë.
Në baltë i la opozitarët tanë edhe çështja e djegies së mandateve të deputetëve. Në baltë i la edhe “çadra e Republikës së Re”, edhe “revolucioni i molotovëve”, edhe “revolucioni i gurëve”. E deri tek gënjeshtra e madhe e Lulzim Bashës me qindra të vdekurit e tij imagjinarë nga covid-19 dhe shumë histori të tjera, të cilët u frynë e u frynë me shumë bujë si edhe kjo përgjimeve të “Ndragetës”.
E përbashkëta e tyre është se, të gjitha u nisën nga hiçi me shumë zhurmë, për tu shfryrë si flluska sapuni duke u rikthyer në hiç. Duke dashur të rikthehen sa më shpejt në pushtet, përmes kësaj filozofie nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse e kanë nxjerrë opozitën vetë në rrugë të madhe. Po vazhduan kështu, e kanë të sigurtë se atje do mbeten, deri më 2025.