Tirana vendosi për më pak se 24 orë për pasuesin e Nevil Dedes. Pas një takimi në mesditën e djeshme presidenti Halili vendosi të vendosë në stol Orges Shehin, ish trajnerin e Skënderbeut e Kukësit. Mesditën e sotme trajneri i ri i bardhebluve është prezantuar në ambientet e stadiumi “Selman Stermasi”, ku iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve në lidhje me detyrën e re.
“Jam krenar dhe i kënaqur të bëhem pjesë e klubit më të titulluar në vend. Ambiciet janë të mëdhaja. Kemi rrugë të gjatë përpara, skuadra do tentojë të ngjitet sa më lart. Synimi është maja, por shkallët do i marrim dalëngadalë. Objektivat e klubit dihen, gjithmonë në majë.
Në këtë profesion përgjegjësia është e madhe dhe unë nuk jam tip që i shmangem atyre. Tiranën e prita me shumë qejf sepse është klub i madh dhe ka një organikë të mirë lojtarësh. E prita me kënaqësi dhe këto ishin arsyet pse vendosa Tiranën.
16 pikë është maja. Do i marrim ndeshjet një nga një. Nuk mund të mendojmë tani për Vllazninë, kur kemi ndeshjen e radhës me Apoloninë, shkallë-shkallë, ngjitemi lart. Unë e di se Tirana ka tifozë të zjarrtë, për të mos thënë më të zjarrtët në vend. E di që ata sakrifikojnë dhe e duan shumë këtë fanellë. Unë ish i Partizanit? Pak rëndësi ka ku kam luajtur unë, kam ndërruar 7 fanella.
Kur e merr një skuadër në mes të sezonit nuk mund të bësh llogari se kush e bërë e kush jo. Unë kam njohuri për skuadrën, e njoh mirë dhe siç e thashë edhe më parë kontingjenti është i gatshëm të luftojë për sa më lart. Nuk jemi në pozicionin e duhur në renditje. Nga sot duke e prekur stërvitjen dhe duke e parë nga brenda mund të jap një opinion më të saktë, por mendoj se është edhe pak çështje fati prej mungesave, por edhe psikologjia ndikon.
Presioni është prezent dhe normal sepse jemi në një skuadër me pritshmëri të mëdha. Sa i përket ndërhyrjeve nga presidenca? Unë jam trajner që në qoftë se klubi mund të ketë politika për një lojtar të caktuar për të bërë një kalim në një kampionat më të fortë, ne sigurisht do e ndihmojmë, duke e aktivizuar me shumë.
Sa i përket sugjerimeve, unë dje kam ndenjur me presidentin shumë orë dhe në asnjë moment nuk më është thënë kjo, por më janë kërkuar rezultatet. Më është thënë se nuk më intereson kush është në fushë, por dua rezultatet. Risku është prezent dhe po të jetojmë me frikën e riskut, s’do punonim fare.
Tirana për momentin është poshtë, por them se do ngjitet, shpresoj ta bëjë këtë dhe të arrijë objektivat, pastaj risku është prezent kudo. Unë me gjithë stafin tim duhet të bëjmë maksimumin në psikologji dhe taktikë e teknikë. Pastaj unë jam koshient se rezultatet të mbajnë në punë. Unë vij më dëshirën e madhe si të jem gjithë jetën, por edhe sikur do iki nesër.
Të kesh të gjithë skuadrën është gjë e mirë sepse kanë munguar lojtarë kampion, që kanë peshë të madhe. Frikë aspak, kujdes po”, mbylli deklaratën e tij si trajneri i ri Tiranës, Orges Shehi.