Pagën apo Ligën e Kampionëve. Kjo është dilema pas së cilës është vendosur Berat Gjimshiti. Mbrojtësi i Kombëtares ka në dorë një ofertë nga Premier Liga Angleze që e tundon përballë luftës për kreun në Serinë A dhe pjesëmarrjes në Champions me Atalantën.
Fulhem që drejtohet nga Skot Parker ofron për qendërmbrojtësin kuqezi 3- fish të pagës aktuale si dhe një bazë prej 19 milionë eurosh për Atalantën, siç raporton “tuttomercatoweb”.
Berat Gjimshiti është prej dy sezonesh një nga qendërmbrojtësit më të mirë të Atalantës. Futbollisti i Kombëtares është shndërruar nga Gasperini në një ekspert të prapavijës me tre, duke qenë garanci e shtuar jo vetëm në veprimet në mbrojtje, por edhe në nisjen e aksioneve ashtu si edhe në goditjet standarde në zonën kundërshtare.
Së fundmi, në ditët e fundit të merkatos së transferimeve, Fulhem i ofron shqiptarit 2.5 milionë euro pagë vjetore, krahasuar me vetëm 800 mijë euro që ai aktualisht përfiton me Atalantën. Për skuadrën bergamaske ka një ofertë bazë prej 19 milionë eurosh, për t’i joshur që të heqin dorë nga kartoni i qendërmbrojtësit.
Fulhemi gjendet në zonën e rrezikut të rënies nga Premier Liga ndaj kërkohen përforcime më së pari në mbrojtje për t’ia dalë që të shpëtohet sezoni. Mbetet për t’u parë nëse trajneri Gasperini do të japë leje për largimin e njërit prej shtyllave të prapavijës dhe nëse vetë klubi italian do të mjaftohet me 19 milionë euro për kartonin e 27-vjeçarit.