Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj i ka dorëzuar detyrën ministres Olta Xhaçka ditën e sotme. Në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe ministres së re të Punëve të Jashtme, Gent Cakaj e ka falënderuar për mbështetjen në këtë detyrë.
“Më lejoni të shpreh kënaqësinë që sot kam nderin e posaçëm tja dorëzoj formalisht detyrën në ministrinë e jashtme. Kryeministri më ka mbështetur gjatë gjithë kohës kur kam qenë në detyrë dhe ne kemi marrë masat e nevojshme të kemi një vazhdimësi. E ndjej detyrim moral të falënderoj kryeministrin për mbështetjen që më ka dhënë”, tha Cakaj.
Kryeministri Edi Rama tha se Olta Xhaçka është në lartësinë e duhur për të marrë stafetën në këtë detyrë. “Marrëdhëniet strategjike të shqiptarëve me aleatët dhe partnerët e vet janë punë e përditshme, është në lartësinë e duhur për ta marrë këtë stafetë. Ky institucion ka një bazë të kahershme si në çdo hapësirë tjetër të jetës së organizuar, ka nevojë për të çuar para marrëdhënien me të tjerët por edhe funksionimin për të qenë në lartësinë e duhur. Do të vazhdojmë rrugën se bashku. Për herë të parë drejtuesja do të jetë e këshilluar nga një dyshe si unë dhe Genti”, tha Rama.