Zëvendësndihmëssekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer deklaroi se tashmë është e rëndësishme që Bashkimi Evropian të gjejë një rrugëtim për mbajtjen e Konferencave Ndërqeveritare për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë, t’i fillojë këto procese.
Në një intervistë televizive, Palmer theksoi se “besoj se kemi arritur në një kryqëzim të rëndësishëm”. “Patjetër, të dy vendet i kanë përmbushur kërkesat në kuadrin e kushteve që janë vendosur nga BE. Dhe besoj se ky do të jetë një event jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm, duam që të ndodh sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh ai.

“E kuptojmë që ka disa komplikime dhe pse po zgjat më tepër. Por ama besoj se ky do të jetë një gur kilometrik shumë i rëndësishëm që i vendos Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në rrugën e anëtarësimit”, vuri në dukje ai. Palmer foli edhe për zgjedhjet e 25 prillit në vendin tonë, duke përgëzuar së pari, qytetarët shqiptar për progresin e bërë në arritjet demokratike.

“Marrëveshja për reformën zgjedhore ishte më të vertëtë inkurajuese, bazuar në rekomandimet e ODHIR, ne duam të shohim zbatimin e këtyre rregullave të marrëveshjes dhe që zgjedhjet në prill të mbahen në mënyrë që është e drejtë, që është transparente dhe në të cilën klasa politike të jetë llogaridhënëse. Dhe duam që opinioni dhe mendimi i votuesve të shprehet në kutitë e votimit dhe që kjo të pasqyrohet në përbërjen e parlamentit dhe në politikat që pasqyrojnë ambiciet dhe dëshirat e popullit shqiptar. Kjo është mënyra se si funksionon demokracia dhe ne jemi me të vërtetë shpresëplotë që zgjedhjet në prill do të sigurojnë dhe do të plotësojnë këto ambicie”, u shpreh Palmer. Palmer e cilësoi shumë inkurajuese që Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese janë krijuar tashmë.

“Duam me të vërtetë të shohim plotësimin e vendeve me gjyqtarë në këto institucione në mënyrë që të ofrohet cilësia më e lartë e mundshme e drejtësisë. Ne shohim institucionet e reja si Byron Kombëtare të Hetimit edhe SPAK si institucione që ofrojnë mundësi për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të krijuar transparencën dhe faktikisht llogaridhënien që kërkohet dhe meriton populli shqiptar. Kështu që në këtë proces të krijimit të forcimit të këtyre institucioneve dhe këtij kuadri institucional që është në bazë të qeverisjes së mirë dhe qeverisjes transparente dhe qeverisjes llogaridhënëse, SHBA -të do të punojnë shumë ngushtë me lidershipin në Shqipëri dhe me klasën politike dhe me publikun shqiptar që këto të gjitha të bëhen realitet”, theksoi ai.

Sa do të jetë Ballkani Perëndimor në vëmendjen e administratës së re të Shtëpisë së Bardhë? “Kam vetbesim që Ballkani do të ketë vëmendjen e qeverisë amerikane, jo vetëm nga unë, por edhe nga administrata në vetvete e më gjerësisht. Besoj se mund të bëjmë punë shumë të mirë në Ballkan, besoj se kemi bërë shumë punë, por ama ka ende shumë punë për të bërë dhe kam besim se do të investohet nga administrata në kohë dhe në vëmendje”, u shpreh Palmer.