Nga Blerina Goce
Nela shpenzon shumë kohë në afërsi të plazhit, në Durrës, atje ku ka një apartament të sajin. Situata e pandemisë e ka bërë ta vlerësojë së shumti shtëpinë e saj në breg të detit, por së fundi ka filluar të shqetësohet për diçka: ndotjen e bregut të detit nga maskat.
“Shoh shumë maska, thuajse çdo herë që dal buzë detit. Diçka e tillë më shqetëson dhe mendoj se autoritetet përkatëse duhet të marrin masa”, shprehet ajo.
Në të vërtetë, Nela nuk është e vetmja që vë në dukje, ndotjen e shkaktuar nga maskat gjatë këtyre muajve. Dorezat dhe maskat për fytyrën, dy pajisje mbrojtëse ndaj Covid-19, përdorimi i të cilave është rritur për shkak të pandemisë së koronavirusit, tashmë gjenden në masë, jo thjesht në fytyrën dhe duart e njerëzve, por edhe në rrugë, në rrjedhën e lumenjve apo në ujërat e deteve dhe oqeaneve, duke u shndërruar në ndotës të madh për mjedisin.
Covid-19 shkaktoi një përdorim global prej 129 miliardë maskash të fytyrës dhe 65 miliardë doreza çdo muaj, një pjesë e mirë e të cilave, pas përdorimit përfundojnë në dete dhe oqeane.
“Problemet praktike me dorezat dhe maskat që gjejnë rrugën e tyre në lumenjtë dhe oqeanet tona është se ato mund të ngatërrohen lehtë me kandilat e detit, një ushqim i preferuar i breshkave të detit. Për shkak të përbërësve të tyre elastikë, maskat gjithashtu kanë rritur rreziqet e ngatërrimit për një larmi të gjerë peshqish, kafshësh dhe zogjsh”, vërehet nga specialistë të ndryshëm të mjedisit.
Sipas një raporti të hartuar nga një grup mjedisor me bazë në Hong Kong, në hapësirën aziatike gjatë 2020-s janë prodhuar rreth 52 miliardë maska për fytyrën, për t’i bërë ballë pandemisë Covid-19, ndërkohë që vlerësohet se 1.56 miliardë e këtyre maskave kanë përfunduar në dete dhe oqeane.
Raporti tregon shkallën e tmerrshme të ndotjes plastike të shkaktuar nga situata e pandemisë, diçka me të cilën planeti ynë do të merret për rreth 450 vjet, sasia e kohës që nevojitet për shpërbërjen e plastikës.
“Çdo vit, vlerësohet se ndotja plastike detare vret 100 000 gjitarë dhe breshka detare, mbi një milion zogj deti dhe madje edhe një numër më të madh peshqish, jovertebrorë dhe gjallesa të tjera detare”, vëren raporti, ndërsa thekson se ndotja plastike, e cila arriti pikun në vitin 2020 për shkak të Covid-19, ndikon jo vetëm jetën detare, por edhe “komunitetet bregdetare, peshkatarinë dhe ekonomitë.”
“Maskat e fytyrës njëpërdorimëshe prodhohen nga një larmi llojesh e plastikës së shkrirë dhe janë të vështira për t’u ricikluar, për shkak të përbërjes dhe rrezikut të ndotjes dhe infeksionit. Këto maska hyjnë në oqeanet tona kur janë të ndotura ose kur janë hedhur në mbeturina në mënyrë jo të duhur, kur sistemet e menaxhimit të mbetjeve janë joadekuate ose inekzistente, ose kur këto sisteme mbingarkohen për shkak të rritjes së vëllimeve të mbeturinave.”
Specialistët theksojnë se pjesa më e madhe e gjallesave ujore do të vuajnë për shkak të këtyre mbeturinave.
Në shtator, një pinguin i gjetur pa jetë në një plazh në Brazil kishte një maskë të mbledhur në stomak.
“Fatkeqësisht, raste të tilla do të vijnë duke u shtuar.”
Shqipëria, ndotje plastike e lartë
Në vendin tonë shifrat tregojnë një situatë aspak të mirë përsa i përket nivelet të përdorimit të plastikës edhe përpara situatës së pandemisë, duke i cilësuar mbetjet plastike si ndotësit kryesorë që depozitohen në brigjet e vendit tonë.
Një studim i titulluar “Fushata prioritare të ndërhyrjes për të parandaluar gjenerimin e mbetjeve detare nga paketimet plastike në sektorin e ushqimit dhe pijeve në Shqipëri, Bosnje Hercegovinë dhe Malin e Zi”, vëren se vendi ynë ka përdorimin më të lartë për kg për person të plastikës në disa vendet të rajonit.
Raporti vlerëson se një shqiptar krijon të paktën 45 kg mbetje plastike për një vit. Në Malin e Zi kjo shumë është 34 kg ndërsa në Bosnje Hercegovinë është 31 kg.
Ndërsa nga një projekt pilot, i bërë në grykëderdhjet e lumenjve Bunë dhe Ishëm, ka rezultuar “se plastika në përgjithësi dhe qeset plastike, në veçanti, përbëjnë mbetjen kryesore që depozitohet në bregdet nëpërmjet rrjedhave lumore. Si rezultat i vëzhgimit në 3 një sipërfaqe prej 100 m2, në deltën e Bunës ka rezultuar se nga totali prej rreth 46 kg mbetje, që gjendeshin të depozituar, rreth 42.3 kg ishin mbetje plastike/polystyrene (kryesisht qese plastike mbajtëse). Edhe në deltën e Ishmit, në një sipërfaqe prej 100 m2, nga totali prej rreth 84.5 kg mbetje, që gjenden të depozituar në Kepin e Rodonit, rreth 52,4 kg janë mbetje plastike/polystyrene (kryesisht qese plastike mbajtëse).
Dështimi me qeset plastike
Në 16 tetor të vitit 2019, Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi promovoi nismën “Shqipëria vendi i parë Europian pa qese plastike”. Sipas kësaj nisme, synohej që deri në qershor të vitit 2020, në Shqipëri do të eliminoheshin të gjitha qeset plastike. Por diçka e tillë nuk u arrit e madje ngjan se ndotja nga plastika është shtuar gjatë periudhës së pandemisë.
“Në Shqipëri, qeset plastike depozitohen në vendet e depozitimit të mbetjeve apo hidhen në ambjente të hapura apo buzë lumenjve, së bashku me mbetjet e tjera urbane, praktikë e cila vjen edhe për shkak të problemeve që Shqipëria ka me mosndarjen e mbetjeve në burim, si dhe me mungesën e sistemit të menaxhimit të mbetjeve veçanërisht në zonat rurale”, thuhet në një raport vlerësimi të Ministrisë Turizmit të përgatitur gjatë 2020-s.
Ndërsa në strategjinë e Ministrisë së Turizmit (Dokumenti i Politikave Strategjike dhe Plani Kombëtar i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve) për 2020-2035 vërehet se problemet kryesore, të paraqitura në mënyrë të përgjithshme në të gjithë Raportet e Komisionit Evropian për Shqipërinë, lidhen kryesisht “me shtrirjen e pjesshme të mbulimit me shërbimin e menaxhimit të mbetjeve, grumbullimin dhe largimin e pamjaftueshëm të mbetjeve, me sasinë e kufizuar që depozitohet dhe trajtohet në lendfille, me praninë e një numri të madh venddepozitimesh (të lejuara dhe të palejuara), të cilat janë jashtë standardeve sanitare dhe inxhinierike, me numrin e kufizuar dhe cilësinë jo të mirë të pajisjeve për grumbullimin dhe transportin e mbetjeve, me mungesën e ndarjes së mbetjeve në burim dhe normën e vogël të riciklimit etj.”
Por problem është edhe “mungesa e infrastrukturës për menaxhimin e integruar të mbetjeve, zbatimi jo i plotë të ligjit dhe në përgjithësi të akteve nënligjore, ndërveprimi dhe kordinimi i dobët të strukturave të qeverisë qendrore me pushtetin vendor dhe sektorët e tjerë të interesuar.”(SI)