Pas zgjedhjes së Mark Markut në Lezhë, Partia Demokratike ka zyrtarizuar dhe dy emra të tjerë si drejtues politik në qarkun e Korçës dhe të Dibrës. Lulzim Basha ka vendosur nënkryetarin e PD-së Edmond Spahon si drejtues politikë në qarkun e Korçës dhe Xhelal Mziun në qarkun e Dibrës.

Ndërkohë burime për Report Tv bëjnë me dije se Xhelal Mziu ka filluar takimet elektorale në Dibër. Me këto dy emra, PD ka zyrtarizuar drejtuesit politik në 8 qarqe të vendit. Kujtojmë se më herët gjatë ditës së sotme, u zyrtarizua dhe pedagogu Mark Marku si drejtues politik në qytetin e Lezhës. Ky vendim ka ardhur pas një takimi që Basha pati me Markun ditën e shtunë në Selinë e PD-së.

Përkundrejt saj, socialistët tashmë kanë muaj që kanë përcaktuar ekipin që do të drejtojë 12 qarqet, duke nisur herët punën në bazë për zgjedhjet e 25 prillit. Por koha e përcaktimit të udhëheqësit të fushatës, nuk është i vetmi ndryshim që haset mes dy forcave më të mëdha politike në vend.

Nga 8 drejtues politik që PD ka zyrtarizuar deri më tani, nuk vihet re asnjë emër gruaje, ndërkohë që socialistët i ka besuar në 3 Qarqe grave, Dibrën Olta Xhaçkës, Lezhën, Lindita Nikollës dhe Tiranën, Elisa Spiropalit, e cila e bashkëdrejton së bashku me kryebashkiakun Veliaj dhe deputetin Ervin Bushati. Demokratët janë ende pa dikë në krye të fushatës në Tiranë, Kukës, Gjirokastër e Berat, ndërsa më herët kanë prezantuar Helidon Bushatin në Shkodër, Bujar Leskajn në Vlorë, Gazment Bardhin në Elbasan, Edi Palokën në Durrës, Enkelejd Alibeajn në Fier.