Pas Tiranës dhe Lezhës, Lëvizja ‘Vetëvendosje’ prezanton kandidatin e tretë për zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri. ‘Vetëvendosja’ do të kërkojë përfaqësim në parlament për qarkun e Gjirokastrës nëpërmjet arkitektit Kreshnik Merxhani.
“Pasi kemi njoftuar dy kandidatët tanë për Qarkun e Tiranës dhe Lezhës, Bojken Abazin dhe Iliaz Shehun, do të prezantojmë kandidatin tjetër nga zgjedhësit, për Qarkun e Gjirokastrës, zotin Kreshnik Merxhani, i cili bashkëpunon prej disa vitesh me VV në Shqipëri. Kandidatët tanë janë njerëz që me vlerat e tyre shoqërore, profesioniste, do të sjellin një pikëpamje tjetër për mënyrën sesi bëhet politikë. Sa më të vendosur në mbrojtje publike të çështjeve të politikës, aq më të qenësishme janë subjektet politike. Ne e dimë mirë s i rëndësishëm është përfaqësuesi në Kuvendin e Shqipërisë, ndaj nuk synojmë të sjellim të ‘fortin e lagjes’, por propozojmë emra dhe njerëz të ditur për Kuvendin, vendin dhe lagjen’ tha VV në deklaratën para mediave.
Në fjalën e tij para mediave, Merxhani tha se është domosdoshmëri zhvillimi i Gjirokastrës, ndërsa quajti alarmante largimet e qytetarëve nga ky qark.
‘Jam i ndërgjegjshëm për pasurinë e Qarkut të Gjirokastrës dhe ndjej përgjegjësinë maksimale profesionale dhe qytetare në angazhimin për mbrojtjen dhe zhvillimin e kësaj zone. Pandemia i ka prekur të gjithë dhe na mësoi që zhvillimi nuk vjen vetëm me turizmin. Është e domosdoshme që mbrojtja dhe zhvillimi i trashëgimisë kulturore të ndërlidhet me prodhimin vendas. Sipas modelit të shtetit zhvillimor që ka në program Lëvizja VV. Vlerat e qarkut po rrënohen nga politika të papërgjegjshme. Ndërtohen rrugë dhe shkatërrohen arsyet, rrënohen destinacionet. Nuk mund të ndërtohet By pass, po humbasim çdo vit monumente kulture, nuk ka turizëm. E gjithë lugina e Vjosës duhet të kthehet park kombëtar. Largimi i qytetarëve është alarmant, por ne nuk mund ta pranojmë këtë realitet, ndaj angazhohemi me të gjitha energjitë tona për të transformuar këtë situatë bashkë me qytetarët”, u shpreh Merxhani.
10 ditë më parë, ‘Vetëvendosje’ prezantoi Bojken Abazin si kandidat në Tiranë dhe aktivistin Iliaz Shehu në Lezhë, ndërsa pas prezantimit të tyre nis mbledhja e firmave të nevojshme për tu regjistruar në KQZ si kandidatë. 25 prilli do të jetë hera e parë që kjo lëvizje kërkon votëbesimin e qytetarëve për ti përfaqësuar në parlamentin e Shqipërisë.