Senati i Shteteve të Bashkuara i kontrolluar nga republikanët rrëzoi të premten veton e Presidentit Donald Trump, për herë të parë në gati katër vitet e tij në detyrë, duke lënë kështu në fuqi një projekt-ligj mbi shpenzimet e mbrojtjes megjithë kundërshtimin e tij të fortë 20 ditë para se të largohet nga detyra.
“Me kuorumin e dy të tretave të senatorëve, projektligji miratohet duke tejkaluar kundërshtimet e presidentit të Shteteve të Bashkuara”, deklaroi drejtuesi i seancës, Senatori republikan Josh Hawley.
Senati votoi kështu 81-13 për të anulluar veton e Presidentit Trump dy ditë para se Kongresi i ri të bëjë betimin për marrjen e detyrës të dielën. Presidenti Trump, i cili largohet nga detyra në 20 janar, ka ushtruar me sukses veton tetë herë më parë.
I mbledhur në një seancë të rrallë në ditën e Vitit të Ri, Senati siguroi shumicën e dy të tretave të nevojshme për ta tejkaluar veton nëpërmjet mbështetjes dypartiake. Ligjvënësit republikanë përgjithësisht e kishin mbështetur presidentin gjatë mandatit të tij të trazuar në Shtëpinë e Bardhë.
“…Është një përgjegjësi serioze, por edhe një mundësi e jashtëzakonshme, të përcaktojmë prioritetet e sigurisë tonë kombëtare, duke reflektuar vendosmërinë e popullit amerikan dhe rreziqet ndaj sigurisë në atdhe dhe jashtë tij”, tha Senatori Mitch McConnell, kreu i maxhorancës republikane.
Që prej dështimit të përpjekjes së tij për t’u rizgjedhur në nëntor, Presidenti Trump i ka kritikuar për mos-mbështetjen e plotë të pretendimeve të tij të paprovuara për manipulime elektorale, për refuzimin e kërkesës së tij për më shumë asistencë financiare gjatë pandemisë, si dhe për pozicionimin kundër vetos së tij.
Presidenti amerikan ka fuqinë të vërë veton mbi një projekt-ligj të miratuar nga Kongresi, por ligjvënësit mund ta mbajnë në fuqi projekt-ligjin nëse dy të tretat e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit votojnë për ta tejkaluar veton.
Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) prej 740 miliardë dollarësh përcakton gjithçka, nga sa anije luftarake do të blihen dhe deri tek pagat e ushtarakëve dhe se si të trajtohen kërcënimet gjeopolitike. Por, Presidenti Trump nuk pranoi ta nënshkruajë sepse nuk u shfuqizuan disa mbrojtje ligjore për platformat e mediave sociale dhe për shkak se ekziston një dispozitë për heqjen e emrave të gjeneralëve të Konfederatës nga bazat ushtarake.
Presidenti Trump, i cili u kthye në Uashington të enjten nga klubi i tij privat në Florida, ka rritur presionin ndaj republikanëve dhe ka kritikuar udhëheqjen e partisë se nuk e mbështeti për këto dy masa ligjore si dhe në përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.
Dhoma e Përfaqësuesve tashmë e ka rrëzuar veton e presidentit.
Nga ana tjetër, demokratët, në një rreshtim të pazakontë në krah të Presidentit Trump, përshëndetën thirrjen e tij për pagesa të drejtpërdrejta prej 2,000 dollarësh për familjet amerikane, nga 600 dollarë për familje të miratuara deri tani.
Për pagesa më të mëdha janë edhe një numër republikanësh, por shumë të tjerë thonë se paratë do t’u shkonin njerëzve që nuk janë në nevojë.
Presidenti Trump, i cili u kthye në Uashington të enjten nga klubi i tij privat në Florida, ka rritur trysninë ndaj republikanëve dhe i ka kritikuar udhëheqësit e partisë.
Tensionet mes republikanëve po rriten gjithashtu rreth planit të disa konservatorëve për të shprehur kundërshtimin e tyre të mërkurën e ardhshme, kur Kongresi i ri zyrtarisht do të votojë mbi rezultatet e Kolegjit Zgjedhor që konfirmon fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhje para se ai të bëjë betimin më 20 janar.
Sipas njoftimeve të medias, kreu i shumicës republikane të Senatit Mitch McConnell, i cili ka pranuar publikisht fitoren e zotit Biden, ngriti të enjten pikëpyetje në një bisedë telefonike me grupin e tij rreth planit të senatorit republikan Josh Hawley për të kundërshtuar në seancën e datës 6 janar.
Sipas televizionit CNN, të paktën 140 republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve pritet të dalin me kundërshtime të ngjashme, pavarësisht se Kongresi në këtë rast ka thjesht një rol ceremonial.
Manovrat e planifikuara në seancë, mund të bëhen shkak për një debat të gjatë në Senat, por nuk kanë asnjë shans të përmbysin rezultatin e zgjedhjeve.