Ministrja Elisa Spiropali deklaroi në Çim Peka LIVE se inkurajon prokurorinë që të hetojë për përgjimet e Ndraghetës.

Spiropali tha se përgjimet nuk përbëjnë provë dhe se vetëm mafia e “babales” mund të prodhojë një histori të tillë.

“Kjo është përballje me asgjë. Janë fjalë të instrumentalizuara, ju nuk duroni t’i analizoni, le më të prisni gjykatën dhe prokurorinë për të ndarë fjalët nga faktet.

Në të gjithë atë dosje, edhe pse nuk jam prokurore, por ato që ju keni nxjerrë si xhevahirë, perla dhe prova të pakundërshtueshme, aty është një zero me xhufkë. Një banalitet i dy delirantëve që komunikojnë me njëri-tjetrin për ëndrrat që kanë mbi lidhjen që duan të kenë në Shqipëri.

Mjafton të shohim produktin. Ne nuk mund të gjykojmë as mbi dëshirat dhe as mbi ëndrrat dhe vetëm mbi faktet. Lidhja e tyre nuk ka prodhuar asgjë në Tiranë.
Ata këtu në Shqipëri nuk kanë ndërtuar asgjë. Vetëm mafia e prodhuar në Babale mund të prodhojë një gjë të tillë,” tha Elisa Spiropali.

“Ne inkurajojmë prokurorinë që të hetojë nga fillimi deri në fund,” tha Spiropali.