Zbardhen përplasjet mes kreut të Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Partia Republikane nuk ka arritur ende një marrëveshje për zgjedhjet e 25 prillit ndërsa janë zbardhur edhe arsyet që po bllokojnë paktin.
Mediu u shpreh se është duke kërkuar që Partia Republikane të konkurrojë në Tiranë, në mënyrë që të sjellë akoma dhe më shumë vlerë votash tek Partia Demokratike. Ai tha se PD-së nuk i ka kërkuar asgjë tjetër më shume se partneriteti në mënyrë që 25 prilli të përfundojë me fitore.
“PR ka pretenduar që opozita të fitojë. E para dua të shohim historikun elektoral. Në 2017 u përpoqëm që të ndërtonim një koalicion që nuk funksionoi dhe 70-80 mijë vota nuk erdhën në eficent të PD-së. Detyra e parë e opozitës është të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, në çdo qendër ka nevojë për të gjitha subjektet. Zoti Duka bie një deputet në Durrës për opozitën.
PR mund të jetë mbështetëse në Durrës. PD për 40 vota nuk mori mandat në Shkodër. Këto vota unë mendoj se janë të vlefshme. Kemi kërkuar që të konkurrojmë në Tiranë. Nëse kemi një mandat në Tiranë duhet të jemi në atë zonë që përcaktohet mandati, por edhe të biem atë vlerë të votave në Tiranë.
Nuk i kam kërkuar asgjë PD-së përveç partneritetit në çdo qendër votimi për të fituar zgjedhjet”, tha ai. Kreu i PR u shpreh se është në diskutime me Bashën për mënyrën se si duhet të dalë opozita në zgjedhje dhe si duhet të organizohet ajo. Mediu tha se sipas votave, PR nga 36 i takojnë 2 kandidime në kryeqytet.
Sipas tij pjesa tjetër do të jetë një mbështetje për kandidatët e listës. Mediu u shpreh se ajo që kërkon saktësisht nga PD është mundësia për t’u futur në garë.
“Po negocioj me zotin Basha dhe të gjithë negociatorët. Para 2-3 ditëve kam qenë me zotin Basha. 90% të kohës e kemi konsumuar për mënyrën si duhet të dalë apo si duhet të organizohet opozita. Fatmir Mediu psh do të kandidojë në Tiranë. Sipas votave i takojnë 2 kandidime në Tiranë.
Sepse ne kemi nxjerrë 36 kandidatë, po shkojmë te 2, të tjerët do të jenë mbështetës të kandidatëve të listës. Atë që e ka PR. Sikur e ka Agron Duka në Durrës dhe tjetri të jetë në garë po, padyshim. Në Shkodër ne kemi vendin ku na takon, duhet bërë përllogaritja i 6-shti apo 7-ti, etj, në Fier 6-ti apo 7-ti, në Korçë 8-ti apo 9-ti, në Elbasan i 6-ti, 5-ti apo 7-ti, të gjitha sipas përllogaritje. Nuk po i kërkojmë PD-së vend të sigurt, por futja në garë”, u shpreh Mediu. Por sipas burimeve Basha nuk pranon të fusë kaq shumë emra nga PR, pasi po mendon që të fusë të besuarit e tij në lista.
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu u shpreh se futja e kryetarëve të partive aleate në listën e PD nuk mjafton, duke sjellë në vëmendje humbjen e Partisë Demokratike 4 vite më parë. Sipas Mediut nëse PD do të maksimizojë votën duhet t’i japë një rëndësi të madhe angazhimit të gjithë partive politike nëpër qarqe.
Kreu i PR u shpreh se mos aktivizimi i partive politike e ka penalizuar PD-në duke humbur shumë vota në vitin 2017. “Unë mendoj që është shumë racionale ajo që tha Zoti Berisha, i cili ka qenë qëndrimi ynë, që koalicionet elektorale ndërtohen mbi peshën elektorale të secilit subjekt. Pesha elektorale e gjithsecilit subjekt përcakton qartësisht se ku janë kandidatët e të gjitha partive.
Është e rëndësishme që të jenë kandidatët dhe angazhimet e të gjitha partive politike për të maksimalizuar votën, sepse po ju them që në vitin 2017, minimumi 70 mije-80 mijë vota PD i ka humbur për shkak të mos aktivizimit të partive politike, jo në kuptimin e përfshirjes së autoriteteve të këtyre partive në një listë, por të angazhimit të strukturave të këtyre partive nëpër qarqe të ndryshme”, u shpreh Mediu.