Gjatë ditëve të fundit në vendin tonë është vënë re një rritje e numrit të të infektuarve me koronavirusin Covid-19. Specialistët thonë se kjo rritje e numrit të të infektuarve ishte e pritshme pas festave të fundvitit. Në një lidhje direkte për edicionin e lajmeve të Tv Klan të orës 15:30, specialisti i Institutit të Shëndetit Publik Artan Simaku shprehet se situata është nën kontroll. I pyetur për mutacionin e Covid-19, pra për variantin britanik, Simaku thotë se nuk është identifikuar asnjë rast i tillë në vendin tonë.

Artan Simaku: Kjo rritje ishte paralajmëruar në muajin Dhjetor, që për arsye të festave të cilat kanë një periudhë prej 10 ditësh, zgjatën prej 10 ditësh, ishte parashikuar rritja e rasteve në muajin Janar. Aktualisht ka një rritje të incidencës 2-javore me 2 javët paraardhëse, por situata është e qëndrueshme. Pra, është një rritje e lehtë, rritje e qëndrueshme pavarësisht këtyre luhatjeve ditore.

Si janë parashikimet? A pritet që kjo tendencë të vazhdojë edhe përgjatë muajit Shkurt? Artan Simaku: Numri i rasteve është i lidhur direkt me respektimin e masave nga popullata dhe nga bizneset, dhe nga ndërgjegjësimi i popullatës. Nëse masat respektohen nga shumica e popullatës dhe 95% e popullatës por edhe e bizneseve, atëherë kjo ka ndikim direkt në rënien e numrit të rasteve. Respektimi i masave nga popullata dhe nga bizneset nuk është çështje kontrolli, çështje gjobash, është çështje ndërgjegjësimi e popullatës se do bashkëjetojmë edhe shumë muaj me virusin. Prandaj janë ato 3 masat e thjeshta të cilat thuhen përditë që nga fillimi i muajit Mars dhe tashmë e gjithë popullata e di përmendësh. Vetëm duhet të respektohen.

Kemi raste të identifikuara të mutacionit britanik edhe në vendet fqinje, si Kosovë, Maqedoninë e Veriut apo në Greqi. Po tek ne a ka pasur raste të dyshuara deri tani të infektimeve me mutacionin britanik. Artan Simaku: Deri tani nuk ka patur raste të dyshuara në Shqipëri. Situata monitorohet çdo ditë dhe jemi në alert të veçantë në lidhje me këto variante të reja ose mutacione.