Presidenti Joe Biden do të nënshkruajë 10 urdhëra ekzekutivë që kanë si qëllim të forcojnë luftën kundër koronavirusit që ka gjunjëzuar shtetet e bashkuara. Vaksinimi do të përshpejtohet dhe testimet do të rriten. Legjislacion emergjent do të përdoret për të rritur prodhimin e produkteve të domosdoshme sic janë maskat. Ndryshe nga ish presidenti Donald Trump, politika nënvizon një strategji kombëtare dhe jo varja tek shtetet e veçanta që kanë mundur deri më tani të vendosin se ç’është më e mira për ta.
Lëvizja vjen vetëm një ditë pasi Biden bëri betimin si presidenti i 46 i SHBA. Administrata Trump është akuzuar gjerësisht se ka dështuar në përballjen me pandeminë. SHBA është vendi më i goditur në botë nga pandemia me më shumë se 400 mijë jetë njerëzish të humbura. Në fjalimin e tijtë inaugurimit, Biden paralajmëroi se pandemia e koronavirusit në SHBA po hynte në periudhën më vdekjeprurëse. Zyrtarët e administratës së re ndërkohë thonë se nën Donald Trump nuk ka asnjë strategji në nivel federal dhe nuk kishte as një qëndrim të përgjithshëm. E gjithë kjo, me hyrjen e presidentit Biden në zyrë, ndryshon.
Ai pritet të prezantojë një plan me shtatë pika që përfshin edhe përpjekjet për të lehtësuar shpërndarjen e vaksinave dhe aksesin e gjerë në testime. Në hyrjen e planit thuhet se populli amerikan meriton një reagim urgjent, të fortë dhe profesional përballë krizës së shëndetit publik dhe asaj ekonomike të shkaktuar nga koronavirusi.
Qeveria, sipas planit, duhet të veprojë shpejt dhe në mënyrë agresive për të ndihmuar dhe mbështetur punonjësit e domosdoshëm dhe personat më vulnerabël. Administrata Biden synon të administrojë 100 milionë doza vaksine deri në fund të prillit dhe të rihapë shkollat në siguri të plotë brenda 100 ditësh.