Ndër 17 urdhrat ekzekutivë të nënshkruar gjatë orëve të para në detyrë nga Presidenti Joe Biden, dy prej tyre forcojnë bashkëpunimin e dëmtuar me Kombet e Bashkuara në drejtim të përmirësimit të shëndetit global dhe luftës ndaj ndryshimeve klimatike. Duke përmbushur premtimet elektorale, Presidenti Biden ndali tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe riktheu vendin në Marrëveshjen e Parisit për Klimën të vitit 2015. “Jam i angazhuar të punoj nga afër me Presidentin Biden dhe udhëheqësit e tjerë për të përballuar emergjencën klimatike dhe COVID-19tën”, u shpreh në një deklaratë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Gjithashtu, Presidenti Biden nënshkroi urdhëra ekzekutivë me shtrirje të gjerë, të cilët u japin fund kufizimeve të udhëtimit nga vende afrikane dhe me shumicë myslimane, fillojnë ndaljen e financimit të murit kufitar, si dhe forcojnë mbrojtjet për emigrantët e sjellë në moshë të mitur në rrugë të paligjshme. Këta urdhëra çmontojnë disa prej pjesëve kryesore të politikave kufizuese ndaj emigracionit të vendosura nga ish-Presidenti Donald Trump.
Kufizimet ndaj udhëtimeve Shtëpia e Bardhë Biden-Harris përmbysi urdhërat që ndaluan shumicën e njerëzve nga disa vende myslimane dhe afrikane për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara. Në një konferencë me gazetarët, këshilltari i sigurisë kombëtare të Presidentit Biden, Jake Sullivan, përshkroi politikën e ish-Presidentit Trump si “asgjë më pak se një njollë mbi kombin tonë” dhe si “të rrënjosura në ksenofobi dhe armiqësi fetare”. Ish-Shtëpia e Bardhë Trump i kishte mbrojtur urdhërat si të nevojshëm për ta mbajtur Amerikën të sigurt. Megjithëse urdhëri thotë se do të sigurojë asistencë për familjet që ishin ndarë nga kufizimet ndaj udhëtimit të ish-Presidentit Trump, urdhëri gjithashtu bën thirrje për forcimin e kontrollit dhe verifikimit për udhëtarët duke “përmirësuar shkëmbimin e informacionit me qeveritë e huaja”.
Programi DACA Presidenti Biden po “ruan dhe përforcon” programin DACA, i cili ka mbrojtur nga deportimi qindra mijëra migrantë të sjellë në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara kur ishin të mitur. Në urdhërin e tij, Presidenti Biden i bën thirrje Kongresit të miratojë legjislacionin që u jep përfituesve nga DACA, statusin e përhershëm ligjor dhe një mundësi drejt shtetësisë amerikane. DACA u krijua nga administrata Obama në vitin 2012 dhe u sulmua vazhdimisht për t’u ndërprerë nga administrata Trump. Gjykata e Lartë më në fund e ruajti programin, duke konkluduar se administrata Trump kishte kërkuar në mënyrë të parregullt shpërbërjen e tij. Janë rreth 700’000 njerëz të regjistruar në programin DACA, i cili ende përballet me sfida ligjore.
Muri kufitar Presidenti Biden i dha fund deklaratës së emergjencës kombëtare që Presidenti Trump lëshoi për ndërtimin e shpejtë të mureve përgjatë kufirit SHBA-Meksikë. Megjithëse Kongresi autorizoi fonde shtesë për murin në fund të vitit të kaluar, administrata Biden pritet të shqyrtojë kontratat e ndërtimit dhe të ndalë shtimin e barrierave të mëtejshme kufitare.
Deportimet Administrata e re ka ndaluar dëbimet e emigrantëve pa dokumenta ndërsa Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) do të rishikojë përparësitë e zbatimit të ligjit. Alejandro Mayorkas, i përzgjedhur nga Presidenti Biden për të qenë Sekretar i Sigurisë Kombëtare, u paraqit për një seancë konfirmimi në Senat të martën. Zoti Mayorkas u zotua të ndiqte ligjin amerikan të emigracionit në marrjen e vendimeve nëse emigrantët dhe personat pa dokumenta duhet të qëndrojnë në vend.
Censusi Zoti Biden shfuqizoi gjithashtu një plan për të përjashtuar emigrantët pa dokumenta nga censusi, në bazë të të cilit vendoset përfaqësimi i secilit shtet në Dhomën e Përfaqësuesve. Administrata e re thotë se dëshiron që Byroja e Censusit të ketë kohën e nevojshme për të përfunduar “një numërim të saktë të popullsisë”. Në vitin 2018, ish-Presidenti Trump kërkoi të përfshinte një pyetje për shtetësinë në pyetësorin e regjistrimit, por u bllokua nga Gjykata e Lartë. Vitin e kaluar, sidoqoftë, Gjykata e Lartë rrëzoi një padi ndaj planit të administratës së atëhershme për të përjashtuar të padokumentuarit nga regjistrimi që përdoret për të përcaktuar përfaqësimin në Kongres.
Legjislacioni për emigracionin Presidenti Biden gjithashtu ka paraqitur një plan që parashikon një proces tetëvjeçar drejt shtetësisë për emigrantët pa dokumenta. Senatori Bob Menendez, demokrat nga shteti New Jersey, ka rënë dakord për ta prezantuar projekt-ligjin në Kongres. Legjislacioni do të mundësonte që miliona emigrantë të padokumentuar të kualifikoheshin për qëndrim të përhershëm në SHBA pas pesë vitesh dhe të kualifikoheshin për të aplikuar për shtetësinë tre vite më vonë. Afati kohor do të përshpejtohet për përfituesit nga programi DACA dhe personat me Statusin e Mbrojtjes së Përkohshme, të cilët i janë larguar konfliktit të armatosur ose katastrofave natyrore. Aplikantët do të duhet të kenë hyrë në Shtetet e Bashkuara para 1 janarit të këtij viti./VOA/