Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli në një mesazh drejtuar Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, thekson se Parlamenti Europian “do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt integrimit”.
Sassoli, në letrën drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, e falenderon për prezantimin e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë mbi “Hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe miratimin e planit të masave për përmbushjen e përparësive të përcaktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian.”
“Kam ndjekur nga afër përparimin që ka bërë Shqipëria drejt integrimit të saj në Bashkimin Europian. Raporti i Komisionit Europian pasqyron përparimin që ka bërë vendi Juaj drejt plotësimit të kritereve të përcaktuara nga Këshilli në konkluzionet e tij të datës 26 mars 2020. Vlerësoj angazhimin e autoriteteve shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Europian. Të jeni të sigurtë se Parlamenti Europian do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt integrimit në BE. Vlerësoj bashkëpunimin midis Parlamentit Europian dhe Kuvendit të Shqipërisë, ndër të tjera bashkëpunimin në kuadër të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri dhe jam i bindur se ky bashkëpunim do të rritet në mënyrë progresive në të ardhmen.”, shkruan në letrën e tij drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli.