Gjatë shpalosjes së programit ekonomik dhe veçanërisht atë që LSI propozoi për Durrësin, Monika Kryemadhi, diku nga fundi i fjalës së saj disa minutashe, shqipëroi një detaj të rëndësishëm (në raport me PD), se partia që ajo drejton është e vetmja forcë politike, që e mban fjalën. Prej ditësh PD dhe LSI janë ndarë në llogoret e tyre, duke prezantuar secila programin e vet ekonomik. Programe, që nëse shihen në detaje, kanë edhe dallime të cilat do të hapin jo pak andralla mes vedi nëse opozita fiton zgjedhjet e 25 Prillit. Deri më tash, asnjë prej dy forcave politike nuk ka folur për një bashkërendim paraprak lidhur me programet e tyre ekonomike përveçse janë dakordësuar në parim për taksën e sheshtë të propozuar nga PD-ja, 9%, edhe pse LSI-ja në Durrës specifikoi se për 200 bizneset e mëdha do të ketë edhe një taksë shtesë plus 1 % e cilësuar si taksa e të ardhmes për arsimin.

Monika Kryemadhi, duke i mëshuar faktit se LSI e mban fjalën, tha prerë se pese prioritetet e kësaj partie, që ajo i sheh si angazhim për 5 muajt e parë të qeverisjes, do të jenë të panegociueshme. Një mesazh ky i qartë për PD-në, partinë me të cilën, LSI-ja synon të bashkëqeverisë nëse fitojnë zgjedhjet e 25 Prillit. “Ne si LSI shquhemi si e vetmja forcë politike që e mbajmë fjalën dhe ne e mbajmë fjalën sepse kjo është edhe pika jonë më e fortë, pra mbajtja e fjalës dhe investimi tek të rinjtë dhe te rejat. Për këtë arsye ne do t’i qëndrojmë deri në fund pesë prioriteteve tona shumë të thjeshta dhe të panegociueshme, kam dëshirë ta ritheksoj këtë, sepse shumë më thonë se pse janë të panegociueshme, janë të tilla sepse asnjë njeri nuk mund të dalë kundër punësimit…”, tha Kryemadhi.

Po cilat janë 5 prioritetet e panegociueshme të LSI-së në raport me PD-në? “1) Rimbursimi me 5% të vlerës për çdo blerje. Çdo qytetari do t’i kthehet mbrapsht 5% për çdo shpenzim që do të bëjë; 2) Kur një bebe lind, në emër të tij hapet fond investimi prej 1000 USD, dhe i kthehet bebes në momentin që ai bëhet prind vetë,. Mosha mesatare nga LSI është llogaritur rreth 25 vjeç; (1000 USD fond fillestar deri në maturim rreth 25.000 USD). 3) 1% Taksa e të Ardhmes për arsimin për 200 kompanitë më të mëdha; 4) Të masivizojë programin “Mëso dhe Fito”, duke rritur numrin e shkollave profesionale dhe gjithashtu duke përmirësuar kurrikulën profesionale të tyre;

5) TVSH 0% për prodhimet bujqësore dhe blegtorale Made in Albania”. LSI synon ndryshim rrënjësor në mënyrën e të bërit biznes në Shqipëri si dhe ka një qasje të ndryshme nga PD për çështjen e pronës…(SI)