Me sloganin “Shqipëria fiton” lideri i opozitës Lulzim Basha prezantoi të enjte programin ekonomik të Partisë Demokratike. Basha u zotua ndër të tjera për ulje taksash, ulje të çmimit të energjisë, rritje të pagave dhe pensioneve, por si do të hynë paratë në buxhetin e shtetit? Eksperti i Ekonomisë Selami Xhepa, në një bisedë me Juli Xhokaxhi në ABC u shpreh se programi ekonomik që te jetë i besueshëm, duhet të ketë një analizë thelbësore edhe të ardhurave edhe të shpenzimeve. Aktualisht, tha ai, programi ekonomik i PD-së është një listë dëshirash. “Çfarë do të bëhet për të siguruar këto të ardhura shtesë? Çfarë programi, çfarë ndryshime do të bëhet në praktikat publike”, tha ai
Po ashtu, Xhepa tha se në program nuk janë paraqitur reforma strukturore ndërsa sa i përket “zhdukjes” së korrupsionit ai tha se ky është një premtim që e bëjnë shumë palë, por situata mbetet e njëjtë. “E kanë bërë dhe parti të tjera, po prapë kemi kapje të shtetit dhe korrupsioni është bërë një sëmundje endemike e shoqërisë. Vendi ka nevojë për të ndryshuar realisht, politika sociale, duhet që popullsia të rifitojë besimin tek demokracia… Principet e tregut të lirë nuk po funksionojnë prej kohësh”, u shpreh Xhepa. Basha premtoi edhe 110 mijë vende të reja pune, i pyetur se çfarë garancie kemi që, duke marrë parasysh ndodhitë e fundit si tërmeti dhe pandemia, sektori privat do të zhvillohet e do të gjenerojë vende pune, Xhepa tha: Për punësimin, forcat politike shprehin një lloj euforie të pabazuar.
Eksperti i ekonomisë thotë se vendi ka nevojë që të rikalibrojë kursin e vet të lëvizjes. “Kemi deformime të mëdha në mënyrën sesi po zhvillohet ekonomia e vendit. Opozita është një alternativë e rëndësishme, por fokusi duhet të jetë tek reformat e korrigjimit të sistemit..Politikat tatimore fiskale janë sekondare,dhe mund t’i shërbeje vetëm arritjes së atyre pikave”, tha Xhepa.