Nga Zhang Jun& Shi Shuo, Project Syndicate/

Kur presidenti i zgjedhur i SHBA-së Joe Biden të inaugurohet në detyrë javën e ardhshme, ai do të veprojë me shpejtësi për të transformuar shumicën e dimensioneve të politikës amerikane. Një përjashtim i dukshëm është Kina. Por nëse Biden e vazhdon qasjen konfrontuese të presidentit në largim Donald Trump ndaj ekonomisë së dytë më të madhe në botë, ai do të pendohet për këtë gjë.

Ndërsa Biden mund të jetë më pak antagonist ndaj Kinës sesa Trump, ai i ka bërë jehonë shumë prej ankesave të paraardhësit të tij, në lidhje me praktikat tregtare të Kinës, duke e akuzuar Pekinin për “vjedhje” të pronës intelektuale, hedhjen e produkteve në tregjet e huaja, dhe imponimin e kompanive amerikane për të transferuar në Kinë teknologjinë e tyre.

Dhe ai ka thënë se nuk do t`a braktisë menjëherë marrëveshjen dypalëshe të tregtisë “Faza e Parë” të arritur vitin e kaluar, apo të heqë tarifat prej 25 për qind që tani prekin rreth gjysmën e eksporteve kineze në Shtetet e Bashkuara.

Sipas Biden, është më mirë të mos bëhet ndonjë ndryshim i rëndësishëm në qasjen e vazhdueshme ndaj Kinës, derisa të kryhet një rishikim i plotë i marrëveshjes ekzistuese, dhe të konsultohet me aleatët tradicionalë të Amerikës në Azi dhe Evropë, në mënyrë që të “zhvillojë një strategji koherente”.

Përfaqësuesja amerikane e Tregtisë e zgjedhur prej tij, Katherine Tai,që ka një përvojë të gjerë në Kinë, mund të luajë një rol të rëndësishëm në këtë proces. Por nuk ka nevojë për një shqyrtim gjithëpërfshirës, për të parë që tarifat e larta dhe marrëveshja e fazës së parë janë në thelb të papajtueshme.

Gjatë 2 viteve të fundit, përqindja e eksporteve kineze në SHBA që u nënshtrohen tarifave shtesë, është rritur nga një pjesë gati e parëndësishme në mbi 70 për qind. Dhe pjesa e eksporteve amerikane në Kinë që u nënshtrohen tarifave është ngritur në qiell, nga 2 për qind në shkurtin e 2018-ës në më shumë se 50 për qind2 vjet më vonë.

Gjatë së njëjtës periudhë, SHBA ka zbatuar 11 raunde sanksionesh kundër kompanive kineze. Shtimi muajin e kaluar i 59 ndërmarrjeve dhe individëve kinezë në listën e njësive të kontrolluara nga eksporti i Departamentit të Tregtisë së SHBA-së e çoi totalin në 350, më i madhi në krahasim me çdo vend tjetër.

Me kosto kaq të larta dhe kufizime kaq të rrepta në eksporte, Kina nuk mund të përmbushë zotimin e saj, përfshirë ato në marrëveshjen e “Fazës së Parë”, për të blerë rreth 200 miliardë dollarë në mallra dhe shërbime shtesë të SHBA-së në vitet 2020-2021.

Që nga janari i vitit 2020, eksportet e SHBA-së në Kinë ishin shumë larg synimeve të marrëveshjes. Për pasojë, në nëntor 2020, Kina kishte përmbushur vetëm 57 për qind të zotimit të saj vjetor të blerjes. Opsionet e Kinës për përshpejtimin e progresit në këtë drejtim janë shumë të kufizuara.

Përfundimi është i qartë:për sa kohë që Biden mbështet qëndrimin konfrontues të Trumpit, marrëveshja e “Fazës së Parë” do të jetë thelbësisht e parealizueshme dhe përparimi i mëtejshëm drejt një marrëdhënieje tregtare të dobishme, do të jetë i pamundur. Madje tregtia dypalëshe mund të bjerë ndjeshëm.

Por kjo s’do të thotë që tarifat duhet të hiqen vetëm nga administrata Biden. Marrëveshja e “Fazës së Parë”, është gjithashtu me shumë të meta, pasi zbatimi i saj do ta detyronte Kinën të ulte importet nga vendet e tjera.

Duke i dhënë SHBA-së një avantazh të rëndësishëm mbi partnerët e tjerë tregtarë të Kinës, marrëveshja madje mund të shkelë parimin e mos-diskriminimit të Organizatës Botërore të Tregtisë. Për këtë arsye, vende të tjera po përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë.

Në fund të vitit 2020, Bashkimi Evropian dhe Kina përfunduan Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për Investime, ndërsa 10 vendet e ASEAN-it nënshkruan Partneritetin Ekonomik Rajonal të Përgjithshëm (RCEP), së bashku me Kinën, Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë dhe Zelandën e Re. Asnjë nga këto pakte nuk është në interesin e Amerikës.

Së pari, vendet e ASEAN –që së bashku, formojnë tregun e katërt më të madh të eksportit të SHBA-së – ka të ngjarë të zhvendosin më shumë tregtinë tek partnerët e tyre të RCEP. Fakti që RCEP i mungojnë standardet e punës dhe mjedisit, që parashihen në marrëveshjet me Kanadanë, Meksikën dhe SHBA-në, do t`a shpejtojë këtë zhvendosje.

RCEP ka të ngjarë të rrisë kërkesën kineze për eksportet bujqësore dhe të energjisë nga Australia dhe Zelanda e Re. Dhe duke krijuar indirekt një zonë të tregtisë së lirë midis Kinës, Japonisë dhe Koresë së Jugut – i ashtuquajturi Trekëndëshi i Hekurt – ai do të konsolidojë zinxhirët e furnizimit në Azinë Verilindore dhe Paqësorin Perëndimor.

Dhe kjo do ta vendosë SHBA-në në një disavantazh strategjik në rritje. Në vend se të mbështesë politikën konfrontuese të Trump kundër Kinës, Biden duhet të pranojë rolin qendror të Kinës në ekonominë globale, dhe të synojë arritjen e një marrëveshje tregtare të dobishme, dhe jo-diskriminuese.

Administrata e Joe Biden premton një fillim të ri për SHBA-në, dhe marrëdhëniet e saj me botën. Por, për ta përmbushur atë premtim, ai duhet t’i japë fund luftës shkatërrimtare tregtare të paraardhësit të tij kundër Kinës. /Përktheu: Alket Goce-abc/