Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu kanë inspektuar qendrën e re shëndetësore në Rrogozhinë, e sapo rikonstruktuar, në kuadër të programit kombëtar të 300 qendrave shëndetësore.

“Kjo qendër shëndetësore 24 orëshe ofron shërbim për 14 mijë banorë dhe në kuadër të programit tonë të 300 qendrave shëndetësore, tashmë është rehabilituar. Edhe në kohë pandemie, ia kemi dalë që gjatë 2020-ës, të vijonim me programin tonë të rehabilitimit dhe tashmë kjo qendër është transformuar totalisht”, tha Manastirliu.
Gjatë inspektimit, Ministrja e Shëndetësisë tha se po kryhet organizimi për të shtrirë në mënyrë kapilare vaksinimin në të gjithë rrjetin e qendrave shëndetësore.
“Kushtet e zinxhirit ftohës janë edhe në këtë qendër. Por në fakt, edhe në situatën e Covid dhe tani me fillimin e vaksinimit, përveç qendrave të përqendruara të vaksinimit, në varësi të llojit të vaksinave, jemi organizuar që i gjithë zinxhiri ftohës i temperaturave 2-8 gradë të jetë funksional”, tha Manastirliu.

Aktualisht Shqipëria ka kapacitetet e zinxhirit ftohës për secilën nga vaksinat antiCOVID. Nga masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë, kapacitetet aktuale për ruajtjen e vaksinave në temperaturën -70 °C janë për 250,000 doza vaksine njëherësh, për vaksinën e Pfizer. Për vaksina si ajo e Modernës, që kërkojnë një temperaturë ruajtje -20 °C, kapacitetet janë për të pritur 950,000 doza vaksine njëkohësisht. Ndërsa përsa i përket kapaciteteve të zinxhirit ftohës, për vaksina si Astra Zeneka, etj, që kërkojnë temperaturë 2-8 °C, janë kapacitetet për të pritur deri në 7 milion doza, me shtrirje kapilare në të gjithë vendin.