Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu kanë inspektuar godinën e re të Qendrës Shëndetësore nr. 1 në kryeqytet. Manastirliu tha tha se nga kjo qendër do të ofrojë shërbime cilësore për rreth 100 mijë banorë.

“Është bërë një punë e madhe edhe në këto muajt e pandemisë për të vijuar programin tonë të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore. Kjo qendër e re i shërben 100 mijë banorëve të Tiranës. Në Qarkun Tiranë janë 52 qendra shëndetësore të rehabilituara”, tha Manastirliu.
Gjatë inspektimit të qendrës së re shëndetësore për banorët e Njësisë Administrative nr.1 dhe 2 në Tiranë, Manastirliu theksoi rolin e mjekut të familjes në menaxhimin e pandemisë Covid19.

“Mjekët e familjes kanë qenë të angazhuar që në krye të herës dhe kanë vijuar me ndjekjen e pacientëve me covid19, qoftë përsa i përket diagnostifikimit, rasteve të dyshuara gjithashtu, por edhe dhënies së paketës së rimbursimit falas me barnat për trajtimin ambulator. Mjeku i familjes ka një rol thelbësor në gjithë menaxhimin e rasteve në një kohë të shpejtë dhe për të parandaluar më pas edhe vajtjet në spital dhe për të bërë drejtimin e duhur drejt Urgjencës Kombëtare apo rasteve që ndiqen”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se qendrat shëndetësore të rindërtuara brenda komuniteteve do të ofrojnë edhe shërbime shëndetësore në familje. “Një element për t’u theksuar është që do të ofrohet shërbim në familje nga qendrat shëndetësore. Pra vendosja e qendrave brenda komuniteteve krijon dhe lehtësinë për ofruar dhe shërbime në familje, psh një injeksion, apo dhe një terapi të thjeshtë”, u shpreh Ministrja Manastirliu.

Rritja e pagave për personelin shëndetësor me 40%, është vlerësuar nga vetë personeli shëndetësor, ndërsa kryeministri Rama tha se nuk do të ndalen këtu por janë në diskutime për të kaluar në një fazë tjetër të sistemit shëndetësor. “Besoj qe me gjithë këto ndryshime që po bëhen edhe nga pikëpamja e infrastrukturës, edhe nga pikëpamja e pagave, edhe në këtë aspekt do të ketë përmirësime. Patjetër që nuk do të ndalemi këtu. Ne jemi në diskutim për të kaluar në një fazë tjetër me sistemin edhe për të krijuar më shumë pavarësi administrative nga ana e strukturave shëndeësore. Për t’i dhënë mundësi atyre që punojnë më shumë edhe brenda sistemit, që të paguhen më mirë me bonuse, sipas performancës”, tha Kryeministri Rama.

Qendra e re Shëndetësore nr.1 në Tiranë, një investim i qeverisë, pjesë e Programit Kombëtar të Rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore u realizua në 6 muaj, gjatë periudhës së pandemisë. Qendra shëndetësore nr.1, nga disa ambiente të vogla dhe jo të mjaftueshme për qytetarët të cilëve u shërben, të Njësive Administrative nr. 1 dhe 2 në Tiranë, tashmë zhvendoset në këtë godinë të re, e cila garanton kushtet e duhura për 104 mjekë dhe infermierë si dhe për 100 mijë banorët që marrin shërbim në këtë qendër.