Shqipëria do të krijojë, për herë të parë, Regjistrin e Pronarëve Përfitues.

Regjistri, i cili do të jetë gati brenda datës 31 janar zbardh emrat e pronarëve përfitues të kompanive të regjistruara në parajsat fiskale (offshore) me aktivitet në Shqipëri, të cilët zotërojnë të paktën 25% të aksioneve.

Krijimi i këtij regjistri vjen në kuadër edhe të rekomandimeve të Komitetit të Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të terrorizmit”.

Autoriteti publik që do të menaxhojë regjistrin është Qendra Kombëtare e Biznesit.
Por cilat do të jenë të dhënat që do të regjistrohen në regjistër? Sipas Ligjit Regjistri i Pronarëve Përfitues do të përmbajë Numrin Unik të Identifikimit të Subjektit (NUIS) si dhe emrin e subjektit raportues.

Të dhënat e detyrueshme për pronarët përfitues të subjektit raportues për shtetasit shqiptarë janë: emër dhe mbiemër, numri i identifikimit personal, datëlindja, shtetësia adresa e rezidencës së përhershme. Për shtetasit e huaj do të kërkohet emër dhe mbiemër, numri i identifikimit personal, datëlindja, numri i pasaportës dhe shteti lëshues, data e lëshimit dhe data e skadimit të pasaportës, shtetësia, adresa e rezidencës së përhershme.

Mosregjistrimi të dhënave për pronarin ose aksionerin e një kompanie ose organizate jofitimprurese do të dënohet me gjobë në vlerën 500 mijë lekë.

Ndërsa, mosregjistrimi i çdo ndryshimi në të dhënat e regjistruara dhe në dokumentet shoqëruese, dënohet me gjobë në vlerën 250 mijë lekë. Gjithashtu edhe përfaqësuesi ligjor, në rast mosregjistrimi dënohet me gjobë prej 150 mijë lekësh.

Aktualisht janë rreth 54 mijë subjekte të regjistruara pranë QKB dhe rreth 7 mijë organizata jofitimprurëse të regjistruara pranë Gjykatave.