“Lajmë shumë i mirë!”, “Jemi shumë të lumtur!”, “Me këtë kryetar bashkie e prisja që punimet të nisnin kaq shpejt!”,- këto ishin disa nga reagimet e banorëve përfitues nga ndërtimi i 9 pallateve të reja 7-katëshe brenda në qytetin e Shijakut, ku do të akomodohen 163 familje dhe që do të jenë gati për gjashtë muaj.

Ditën e martë ka nisur puna për hapjen e themeleve për ndërtimin e 9-të pallateve të reja nga shtatë kate, ku do të strehohen 163 familje, që mbetën pa strehë nga tërmeti i 26-nëntorit të shkuar.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ka qenë e pranishme në fillimin e punimeve për hapjen e themeleve për ndërtimin e 9 pallateve të reja në Shijak.

Qytetarë të Shijakut, përfitues nga procesi i Rindërtimit, ku bashkia e Shijakut është nga të parat sa i takon ritmit të punimeve, deklarojnë se janë mjaft të kënaqur me ritmin e shpejtë të punës si për ndërtimet individuale, por dhe për fillimin e punës për ngritjen e pallateve, të cilat pritet të jenë gati për 163 familjet brenda javë së parë të muajit gusht.

“Ne kemi qenë banor në këtë lagje këtu. Pallati u bë i pabanueshëm prej tërmetit. Ja di për nderë që po na ndërtohet pallati sërish, pasi ne nuk kishim takat të blinim shtëpi të re. Unë jam tej mase i kënaqur, për arsye se do të fus kokën brenda. Unë kam pasur dy dhoma e kuzhinë. Na thanë që do na japin hapësirat siç i kemi patur. Unë për momentin jetoj me bonus qiraje”,- u shpreh për ATSH, Qemal Masoli, një prej përfituesve nga procesi i rindërtimit në Shijak.

Sanije Kushi, përfaqësuese e një tjetër familje përfituese nga rindërtimi, tha për ATSH se kishte humbur nga tërmeti dy apartamente në lagjen ku po ndërtohen pallatet e reja.

“Në këtë lagje kam patur dy apartamente, dy hyrje të dy djemve. Jemi shumë krenare sot, jam shumë e emocionuar, lotët që shikoni janë lot gëzimi. Ja di shumë për nderë bashkisë, atij kryetari të bashkisë, një djalë i përsosur. Këtë kryetar e prisnim, pasi ka punuar dhe punon shumë. Është i mbarë. Ne kemi marrë dhe bonus qiraje dhe kemi marrë dy apartamente me qira. Na kanë thënë që do i marrim banesat për shtatë muaj”,- u shpreh Kushi.

Xhelal Beqiri, u shpreh se shpreson që dimri tjetër ta zë familjen e tij brenda në shtëpi.

“Jam banues i këtij pallati këtu jam, që po ndërtohet. Jam mirënjohës i Kryeministrit se na ka ardhur e vizituar shpesh, na ka parë”,- tha Beqiri. “Ne kemi patur një dhomë e një kuzhinë. Tani jetojmë me qira, bonus qiraje”,- tha për ATSH bashkëshortja e Xhelal Beqirit.

“Këtu shtëpinë e ka djali. E kishte hyrjen në katin e tretë, dhomë e kuzhinë, por u shemb nga tërmeti. Tani djali jeton me qira, me bonus qiraje 18 000 lekë. Nuk e prisja që punimet të nisnin kaq shpejt. Ne do i marrim apartamentet në fund të gushtit. Kështu na kanë premtuar”,- tha një qytetare, djali i së cilës ishte përfitues nga procesi i Rindërtimit.

“Nëse realizohet kjo që kanë thënë, jam shumë i kënaqur. Unë dy hyrje, rreth 60 apo 62 metra katror. Na kanë thënë që i përfitojmë të dyja hyrjet, në bazë të frymëve. Ne jetojmë me bonus qiraje për momentin”,- u shpreh një tjetër qytetarë për ATSH-në, familja e të cilit ishte përfituese nga procesi rindërtimit.

Kreu i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tha se do të jenë 163 familje përfituese. Sipas tij, për këto familje bonusi i qirasë do të jepet deri në muajin gusht, kur dhe do të marrin çelësat e apartamenteve të reja.

“Në këto 9 pallate kanë qenë të akomoduar 125 familje dhe do të kenë mundësi të akomodohen 163 familje, pasi rreth 38 familje, të cilat jetonin në shtëpi individuale, kanë bërë kërkesë për transferim për të jetuar në këto pallate, pasi nuk kanë patur territor të mjaftueshëm për të bërë shtëpitë individuale, sipas modelit tip të ndjekur deri më tani. Janë plot 17 350 m2 ndërtim në 9 pallate, 2500 m2 do të jenë njësi shërbimi. Kati i parë do të jetë njësi shërbimit dhe 6 të tjera për të akomoduar familjet e prekura nga tërmeti”, – u shpreh Arbana për ATSH-në.

“Një lajm tjetër i mirë”,- vijoi Arbana,-” është se ndërtimi i këtyre 9 pallateve, do të jetë i përfunduar për gati 6 muaj. Pra në fund të korrikut, apo në javën e parë të gushtit do të nisim dhënien e çelësave banorëve të këtij pallati”,- u shpreh Arbana.

Veç këtij kantieri, në Shijak është gati infrastruktura e brendshme e lagjes “Lugina” ku do të ndërtohen 18 pallate nga 30 që janë për t’u ndërtuar të reja në të gjithë Shijakun. Po ashtu ka përfunduar rikonstruksioni i 27 pallateve, një rikonstruksion total i bërë në çdo apartament, nga fondi i dhënë nga grantet e Rindërtimit.