Lionel Messi sërish në faqen e parë, por këtë radhë jo për ndonjë rekord të arritur në fushë e blertë. E përditshmja katalane El Mundo Deportivo ka publikuar në detaje shifrat që përfiton argjentinasi nga rinovimi i fundit i kontratës, që ka ndodhur pak më shumë se dy vite më parë.
Nga nëntori 2017 deri 30 qershorin e ardhshëm, sipas pikave të kontratës, Messi mund të përfitojë 555.237.619 euro (pa taksa), pra më shumë se 139 milionë në vit. Një shifër që del pas mbledhjes se pjesës fikse me variablat (në bazë të arritjeve sportive).
Në marrëveshje zbulohet se Messi ka përfituar dy shifra marramendëse në formë bonusi: 115 milionë euro për hedhjen e firmës dhe 80 milionë euro për besnikëri ndaj klubit.
Duke ju referuar shifrave që përfiton nga arritjet sportive, Pleshti deri tani ka siguruar 511 milionë euro nga kontrata, që përkthehet me 92% të totalit të mundshëm, pavarësisht se në tri edicionet e fundit të Championsit Barcelona nuk e ka prekur finalen.