Nga Joshua Berlinger/
Pas vitit ndoshta më sfidues të sundimit të tij thuajse prej një dekade të Koresë së Veriut, Kim Jong Un po i qëndron politikës së tij për armët.
Kim njoftoi javën e kaluar në Kongresin e Tetë të Partisë së Punëtorëve – një takim i elitës qeverisëse të Koresë së Veriut – se vendi i tij planifikon të forcojë programet e armëve bërthamore dhe të raketave balistike tashmë të rrezikshme të Pyongyang me armatime të reja, të sofistikuara, të tilla si armët bërthamore taktike të dizajnuara për përdorim në fushën e betejës dhe për të shmangur sistemet e mbrojtjes raketore të prodhuara nga amerikanët.
Gjithashtu, në një paradë që shënoi përfundimin e Kongresit, ushtria e Kim tregoi një raketë të re balistike të lëshuar nga nëndetëset (SLBM).
Mesazhi i Kim ishte i qartë: Ai tha se “tani për tani, Koreja e Veriut ka nevojë për armët e saj bërthamore për të parandaluar Shtetet e Bashkuara, pa marrë parasysh se kush është në pushtet dhe pa marrë parasysh koston”.
Planet ambicioze të udhëheqësit të ri për modernizimin e arsenalit të tij bërthamor do të rezultojnë të shtrenjta, në një kohë kur paratë janë tashmë të vakëta. Koreja e Veriut ndërpreu vullnetarisht lidhjet e saj të fundit me botën e jashtme në vitin 2020 për të parandaluar një fluks të Covid-19. Kjo përfshinte ndërprerjen e pothuajse të gjithë tregtisë me Pekinin, një rrugë shpëtimi ekonomik që i nevojitet vendit të varfër për të mbajtur njerëzit e tij larg nga uria.
Ekonomia e Koresë së Veriut është aktualisht në ulluk dhe furnizimi i saj me ushqime raportohet se është në rrezik.
Me shmangien e pandemisë, Kim i bëri vendit të tij atë që shumë njerëz në Uashington shpresuan se do të bënin përmes sanksioneve ekonomike: ta çonte ekonominë e Koresë së Veriut afër pragut të kolapsit. Fakti që ai e bëri këtë me vullnetin e tij, ka bërë që shumë njerëz të pyesin nëse sanksionet janë realisht aq të fuqishme sa për të ndryshuar mendimin e Kim.
Disa analistë nuk pajtohen me këtë linjë të të menduarit.
Ata shohin një mundësi. Me ekonominë e Koresë së Veriut tashmë në prag gremine, ata besojnë se tani është koha për të dhënë goditjen nokaut – një goditje me masa shtrënguese asfiksuese që do e bindin Kim një herë e përgjithmonë, që ndjekja e tij e vazhdueshme për armë bërthamore nuk garanton sigurinë e regjimit të tij, por e kërcënon atë.
Sido që të jetë, planet e Kim do të jenë një sfidë e madhe për Presidentin e zgjedhur Joe Biden.
Trump, ashtu si Obama dhe Presidenti George W. Bush, do t’i lërë pasardhësit të tij një kundërshtar më të rrezikshëm dhe më të armatosur se ai që trashëgoi.
Presioni maksimal
Para se Trump të pranonte të ulej ballë për ballë me Kim në 2018, administrata e tij vendosi një strategji të quajtur “presion maksimal”.
Qëllimi ishte përdorimi i sanksioneve, diplomacisë dhe masave të tjera shtrënguese, thuajse të një konflikti të armatosur, për ta bindur Kim të binte dakord për çmontimin e plotë, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm të armëve bërthamore dhe programeve të raketave balistike.
Ndërsa Koreja e Veriut testoi si kurrë më parë raketa dhe bomba bërthamore në 2017, administrata Trump ngriti nxehtësinë. Misioni amerikan në Kombet e Bashkuara loboi me sukses në Këshillin e Sigurimit të OKB për të miratuar rezoluta që targetonin aftësinë e Koresë së Veriut për të fituar para duke shitur mallra, të tilla si qymyr dhe ushqime deti. Departamenti i Thesarit përdori fuqinë dhe ndikimin e tij të jashtëzakonshëm mbi sistemin financiar global për të vendosur sanksionet e tyre, të njëanshme. Dhe diplomatët lobuan me sukses tek partnerët e SHBA-së për të mbyllur Ambasadat e Pyongyang-ut jashtë shtetit, të cilat regjimi është akuzuar se i ka përdorur si fronte për fitimin e parave.
Deri në fund të vitit 2017, Koreja e Veriut u ndalua nga pothuajse e gjithë tregtia ndërkombëtare. Madje, edhe aleati afatgjatë i Koresë së Veriut, Kina, ra dakord të nënshkruajë sanksione tepër të ashpra të OKB atë vit dhe Pekini dukej se po i zbatonte ato në fillim.
Ai vrull nuk zgjati. Ndërsa Trump drejtoi diplomacinë me Pyongyang në 2018, Shtetet e Bashkuara hoqën këmbën nga gazi në fushatën e presionit. Qindra sanksione të reja që ishin gati për të zbatuar u vunë në pritje përpara samitit të parë të Trump me Kim në Singapor. Sanksionet u vendosën në një shkallë shumë më të ngadaltë që nga ajo kohë.
Ndërsa niveli i kërcënimit u qetësua dhe marrëdhënia e saj me Shtetet e Bashkuara u shkatërrua, Uashingtoni theksoi se Kina filloi të lehtësonte zbatimin e kufizimeve nga ana e saj, megjithëse Pekini mohon në mënyrë të përsëritur çdo pretendim se nuk zbaton plotësisht sanksionet e OKB.
Shumë ekspertë besojnë se Uashingtoni hoqi dorë nga presioni maksimal shumë shpejt.
Disa të tjerë, përfshirë ish ndihmës sekretarin e shtetit të SHBA për Azinë Lindore dhe Paqësorin Evans Revere, argumentojnë që ekipi i Biden duhet të konsiderojë seriozisht një model të ri presioni maksimal, duke forcuar sanksionet “në mënyra që do të impononin edhe më shumë dhimbje dhe izolim mbi Korenë e Veriut”.
Revere tha se “intensifikimi i sanksioneve, plus presione të tjera diplomatike, ekonomike dhe bankare dhe ushtarake që mund të aplikohen mbi Korenë e Veriut, mund ta trondisin me siguri bazën e regjimit, veçanërisht tani që po shohim se regjimi po vuan një krizë të rëndë ekonomike, si rrallë herë më parë”.
Revere dhe ithtarët e tjerë të sanksioneve argumentojnë se ekzistojnë ende mjete në arsenalin amerikan për të bërë presion mbi Korenë e Veriut dhe ato duhet të ndiqen. Administrata e Biden mundet për shembull, që të përpiqet më shumë për të mbyllur kompanitë tregtare të Koresë së Veriut në bashkëpunim me aleatët e SHBA dhe të synojë bankat kineze që ndihmojnë Korenë e Veriut të hyjë në valutë të huaj. Revere shtoi se “ka shumë, shumë më tepër për të bërë që mund të shtrydhë, izolojë dhe minojë Korenë e Veriut në mënyra që do të trondisnin besimin në supozimin e tyre të kamotshëm se armët bërthamore janë shpëtimi i tyre dhe gjithashtu do të krijonin përshtypjen që armët bërthamore jo vetëm që nuk janë shpëtimi, por gjëja që ka potencialin për të minuar stabilitetin e regjimit”.
Biznes i rrezikshëm
Revere e pranon që një qasje e tillë është e rrezikshme.
Kjo mund të detyrojë koreano-veriorët të zgjedhin midis ushqyerjes së njerëzve të saj dhe financimit të armëve të saj bërthamore, dhe historia tregon që Kim ka të ngjarë të zgjedhë këtë të fundit.
Kim Jong II, babai dhe paraardhësi i udhëheqësit aktual, la miliona të vdesin nga uria gjatë urisë në vitet 1990 në vend se të bënte reforma, të pranonte ndihmë ose të bënte diçka që mund të kishte kërcënuar kontrollin e tij të hekurt ndaj udhëheqjes.
Situata nuk është aq e keqe në Korenë e Veriut tani, por analistët besojnë se situata ekonomike është më e rëndë sesa ka qenë që nga uria. Stuhitë shkatërruese, sanksionet ndëshkuese dhe pandemia minuan ekonominë e Koresë së Veriut në vitin 2020. Sipas Chad O’Carroll, CEO i Korea Risk Group, duket se ka ushqim të mjaftueshëm për të vazhduar para, por furnizimi është nën presion.
Ai tha se “ne mund të themi me siguri se ka mungesa në të gjithë vendin për disa lloje kryesore të ushqimit, artikuj ushqimorë”.
Megjithëse i kushtueshëm, vendimi i Kim për të mbyllur kufijtë e Koresë së Veriut duket se ka funksionuar nga perspektiva e shëndetit publik. Pretendimi i Koresë së Veriut që nuk ka regjistruar asnjë rast të vetëm të Covid-19 ka të ngjarë të jetë i pavërtetë, por vendi me sa duket nuk ka përjetuar një valë serioze infeksionesh.
Një numër i madh i rasteve do të mbingarkonin infrastrukturën e rrënuar të kujdesit shëndetësor të Koresë së Veriut, kështu që Kim nuk ka gjasa të heqë kufizimet kufitare derisa të qetësohet pandemia. Kjo do të thotë se Pyongyang, për të arritur objektivat e tij, do të vazhdojë të shkaktojë një nivel të dhimbjes ekonomike mbi vete.
John Delury, profesor në Yonsei University’s Graduate School of International Relations, tha që kjo duhet të jetë “një kujtesë kthjelluese për administratën e Biden se presioni (ekonomik) nuk funksionon mbi Korenë e Veriut”.
Delury shtoi se “Koreja e Veriut i nënshtroi vetes një formë edhe më ekstreme të dhimbjes ekonomike (sesa sanksionet) për të mbajtur larg Covid. E megjithatë, ata nuk po lëkunden për çështjen bërthamore”.
Koordinimi i të gjithëve në një linjë
Biden po përballet tani me të njëjtën çështje të politikës së jashtme që ka munduar pesë paraardhësit e tij të mëparshëm: Si ta bëjmë Korenë e Veriut të heqë dorë nga ndjekja e saj për armë bërthamore dhe raketa balistike.
Ai mund të detyrohet ta bëjë këtë më shpejt sesa do të dëshironte. Megjithëse armët e reja që Kim përmendi janë në faza të ndryshme të zhvillimit, shumica do të duhet të lëshohen me provë për t’u konsideruar operacionale. Nëse Koreja e Veriut do të kryente një provë të tillë, ka të ngjarë të vendoste bazën për një konfrontim diplomatik midis Uashingtonit dhe Pyongyang në ditët e para të presidencës së Biden.
Ka skenarë të hamendësuar se si administrata e re e SHBA do ta trajtojë këtë sfidë. Bazuar në referencat e tij publike, strategjia e Biden ka të ngjarë të përfshijë një angazhim me aleanca shumëpalëshe. Zgjedhja e Biden për Sekretar të Shtetit është një shembull që Uashingtoni mund të shikojë marrëveshjen e Iranit si frymëzim, se si të sillen me Korenë e Veriut, që do të thotë që administrata e re mund të konsiderojë diçka si shkëmbimi i një ngrirjeje të aktiviteteve për zhvillimin e armeve, me lehtësimin e kufizuar të sanksioneve. Por, burime në brendësi të tranzicionit thanë se administrata e ardhshme do të marrë kohë për të hartuar një politikë pas takimit me aleatët dhe partnerët.
Çfarëdo rrugë që Biden do të zgjedhë, pengesat kryesore do të mbeten.
Nëse, ashtu si paraardhësi i tij, Biden përgjigjet me sanksione dhe presione, kjo mund sjellë llojin e diplomacisë informale të përdorur për të arritur marrëveshjen e Iranit. Pyongyang i sheh sanksionet si veprime “armiqësore” dhe nga ana tjetër mund të mbyllë derën e bisedimeve me gjuhën e saj tipike bombastike. Koreja e Veriut i referohej raundit të fundit të sanksioneve të OKB në 2017 si “një akt lufte” dhe e përshkroi idenë se do të hiqte dorë nga armët e saj bërthamore, një “ëndërr ” të SHBA.
Strategjia do të kërkonte gjithashtu ndërveprime me tre lojtarë të përfshirë në proces: Kina, Rusia dhe Koreja e Jugut.
Duyeon Kim, bashkëpunëtor i vjetër në Center for a New American Security tha se “Kina dhe Rusia nuk do të zbatojnë plotësisht as sanksionet ekzistuese” dhe se “Gjeopolitikisht do të ishte e vështirë të përcaktoheshin sanksione të reja pa një arsyetim shumë bindës për Pekinin, Moskën dhe madje qeverinë e Moon të Koresë së Jugut”.
Kina dhe Rusia shfaqen të kënaqura me status quo-në. Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in mund të mos jetë në akord me një strategji presioni sepse ai favorizon angazhimin dhe bashkëpunimin ekonomik si mjet për uljen e nxehtësisë. Moon tha në një fjalim më parë këtë muaj, se dialogu dhe bashkëpunimi i dobishëm reciprokisht janë thelbësore për procesin e paqes koreane.
Delury nënvizoi se nëse dialogu është rruga e zgjedhur, administrata e Biden duhet të njohë kufijtë e saj, ndërsa shtoi se “ne duhet të moderojmë pritëshmëritë tona për atë që mund të sjellë angazhimi”i. Ai theksoi më tej se “Ne kemi parë se çfarë mund të bëjnë tre samite dhe kjo lë shumë për të dëshiruar”.
Por çështja më e rëndësishme mundet që thjesht të mbivendoset. Biden merr detyrën duke u përballur me sfida tepër të frikshme në shtëpi. Ai duhet të ndalojë pandeminë Covid-19 që të zhvillohet brenda kufijve të vetë Shteteve të Bashkuara, të shërojë një komb të plagosur që ende po rimëkëmbet pasi një turmë kryengritësish të nxitur nga Trump sulmuan Kapitolin e SHBA dhe të miratojë Kabinetin e tij nga Senati i cili duhet të hetojë Trump për akuzat e kryengritjes.
Revere vuri në dukje se “si mund të merresh me sfidën e Koresë së Veriut… dhe të merresh me të gjitha këto gjëra të tjera në të njëjtën kohë? Kjo është e vështirë, por këta janë njerëz jashtëzakonisht të aftë”./CNN/Lexo.al/e.c.