Në shkollat “Hasan Vogli” dhe “Qazim Turdiu” vijon puna me ritme të larta për ndërtimin e tyre, të cilat po rilindin shumë më të bukura, më të forta e më të mëdha, pas rrënimit nga tërmeti. Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj, Kryetari i bashkisë Erion Veliaj inspektoi sot punimet që po kryhen në këto shkolla.

“Fëmijët e mësuesit e prekur nga 26 nëntori i shkuar, po kthehen e do vazhdojnë të kthehen në hapësira fantastike mësimore, njësoj si shkollat më të mira të Bashkimit Europian”, – tha Kryeministri Rama. Kryetari i bashkisë së Tiranës , Erion Veliaj tha se “shkolla “Hasan Vogli” ka qenë një shkollë me 300 nxënës , ndërsa tani e ka dyfishuar kapacitetin. Afati për mbarimin e shkollës është në maj. 30% e punimeve kanë mbaruar”.

“Në dallim nga shkollat tjera, këtu na është dashur të përshtatemi me terrenin dhe na duhej të bënim shpronësime të vogla. Hyrja e shkollës do të bëhet nga rruga”, – tha Veliaj. Sipas tij, kjo shkollë do të ketë 25 klasa, gati 3-fishi i shkollës u prish nga tërmeti. Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se “shkolla “Qazim Turdiu” do të jetë në formë L do krijojë një oborr të madh në mes, edhe këtu kemi mbaruar 30% të punimeve plani është të mbarojmë karabinatë dhe të shfrytëzojmë gjithë verën që të jetë gati në shtator. Kjo shkollë do ketë 1000 nxënës”.

Ministri Ahmetaj bëri të ditur se “bashkisë së Tiranës i akorduam një fond prej 16 milionë dollarë për një numër të ri shkollash. Në këtë muaj me procesin e rindërtimit kemi ndërtuar më shumë shkolla se janë ndërtuar në 30 vite, janë gati 157”. Veliaj tha se shkollat e reja po i bëjmë me paratë e qeverisë, ndërsa rikonstruksionet me fondet e BE-së. Ministri Ahmetaj tha se sipas porosisë së kryeministrit Rama kemi futur në rindërtim për shkak të dëmtimeve një pjesë të projektit të kampusit të studentëve, 8 konvikte që ribëhen nga e para, të Kamzës dhe dy në Tiranë.

Kryeministri Rama tha se “rindërtimi i konvikteve është një transformim i jashtëzakonshëm”.