Studiuesit po përdorin Google Earth dhe Facebook për të dokumentuar krimet ekologjike. Rrjetet e internetit ndihmojnë për të parë të gjitha përmasat e shkatërrimeve, sidomos kur shteti nuk vepron. Lista e krimeve që kryhen në sektorin e mjedisit në Lindjen e Mesme është e gjatë: rafineri të improvizuara nafte që lëshojnë tymra duke ndotur ajrin në Sirinë e Veriut, gjueti ilegale kafshësh të rralla në Jemen dhe firma që i hedhin plehrat direkt në rrugët ku kalojnë ujërat në Irak, janë disa shembuj që ilustrojnë këto krime. Si mund të dokumentohen krimet që kryhen kundër ambientit, për të mos folur për dënimin e njerëzve që janë përgjegjës për to?
Ka pak kohë që për këtë gjë janë vënë në përdorim Open- Source- Intelligence, pra informacione falas që publikohen në platformat e mediave sociale si përshembull Facebook dhe Instagram, si dhe fotografimet satelitore dhe materialet kartografike me akses publik, që ofron Google Earth.
Kjo metodë nuk është krejt e re, dhe është zhvilluar nga studimet e bëra për pasojat që konfliktet e armatosura kanë mbi ambientin, shpjegon Wim Zwijnenburg, i cili punon për organizatën ambientaliste hollandeze, Pax. Natyra ka qenë shpesh viktimë lufte: në Siri për shembull është sulmuar enkas industria e naftës, dhe pellgjet e naftës janë përhapur madje nëpër lumenj. Po ashtu gjatë sulmeve janë shkatërruar impiantet e pastrimit të ujit. “Një nga problemet me të cilat kemi hasur ne, është gjetja e të dhënave të besueshme. Mediat sociale dhe fotografimet satelitore që ofrohen falas na kanë ndihmuar që të krijojmë një ide të qartë,” thotë ai. Këto instrumente ndihmojnë edhe gjatë kërkimeve për ndotje ambienti, që nuk kanë lidhje me ndonjë luftë.
Mungojnë dokumentimet sistematike
Zwijnenburg ka publikuar disa raporte që janë përpiluar në bazë të të dhënave me qasje publike të faqeve të internetit që drejtohen nga rrjeti Bellingcat. Studimet e tij kanë të bëjnë kryesisht me ndotjen e rrugëve të ujit Shatt al- Arab në jug të Irakut, derdhjet e naftës në Iran dhe ndotjen e ajrit dhe ambientit nga rafineritë provizore në Veri të Sirisë. Disa nga informacionet kanë qenë të njohura edhe më parë, sidomos brenda për brenda vendeve, pranon Zwijnenburg. Por në shumë raste ai ka parë se mungojnë dokumentimet sistematike, sepse autoritetet nuk kanë kapacitetin ose vullnetin për ti bërë ato.
Zhvillime të ngadalta, pasoja të mëdha ndaj mjedisit
Shpesh synimi është që të vërehen tendencat afatgjata, thotë Doug Weir, drejtor për sektorin e studimeve dhe politikës në Conflicz and Environment Observatory (CEOBS) me qendër në Yorkshire, në Britaninë e Madhe. Nëpërmjet serive të fotografimeve satelitore të bëra nga Planet Labs dhe Google Earth, “mund të hedhësh vështrimin tek diçka që mund të zhvillohet ngadalë, por që ka pasoja të mëdha.” Në rastet kur është e mundur, studimet mbështeten edhe nga dëshmitarë okularë. Të dhënat satelitore përdoren po ashtu për të dokumentuar krimet që bëhen në sektorin e peshkimit dhe në atë të pyjeve, shpjegon avokatja hollandeze Pauline Verheij, nga zyra avokatore Ecojust. Sepse nëpërmjet tyre tregohen sektorë të bllokuar të detrave ose pyjeve. Fotografimet satelitore ndihmojnë dokumentimin e futjes ilegale të varkave të peshkimit ose shpyllëzimit ilegal të pyjeve.
Verheij ka përdorur vetë mediat sociale për të mbledhur dëshmi për një rast gjuetie ilegale në Vietnam, gjatë kohës kur punonte për Wildlife Justice Commision, një organizatë të krijuar nga ajo dhe të tjerë për tu marrë me hetime në sektorin ekologjik. “Njerëzit shpesh përdorin mediat sociale si Facebook- u dhe WeChat për të gjetur blerës për produktet ilegale të kafshëve të egra,” thotë ajo. Facebook-u është përdorur edhe për Jemenin. Një grup lokal ambientalist ka dokumentuar tregtinë ilegale të kafshëve të rralla, që jetojnë atje, duke publikuar fotografi në të cilat gjuetarët bëjnë poza para aparatit fotografik, me leopardët e vrarë.
Kriminelët në bankën e të akuzuarve?
Por a mund të përdoren dëshmi të tilla në gjyq? “Përgjigja e shkurtër është Po,” thotë Verheij. “Por varet vërtet nga gjykata. Ju duhet të gjeni një prokuror lokal ose një autoritet hetimor, që është i interesuar për krimet ambientaliste.” Dhe kjo, thotë Verheij më tej, është pjesa më e vështirë. “Shumë nga këto krime bëhen në vende ku qeveritë janë të dobta, ku mungon interesi për këto tema ose ku ka korrupsion. Në disa vende qeveritarët fitojnë shumë para, duke mos i dhënë rëndësinë e duhur krimeve të tilla.” Edhe interesat ekonomike luajnë një rol të veçantë. “Në Irak, industria e naftës është burim i rëndësishëm të ardhurash, prandaj është e vështirë ta kritikosh atë,” thotë Zwijnenburg.
Mjedisi shpesh nuk është i rëndësishëm sa duhet
Po ashtu shpesh ndodh që krimet ambientaliste nuk kanë prioritet në sistemin e drejtësisë. Në Irak për shembull, pjesëtarë të grupit terrorist “Shteti Islamik”, i kanë vënë zjarrin puseve të naftës. Disa nga dorasit u dërguan në gjyq, por krimet ambientaliste nuk luajtën ndonjë rol në proces, thotë Doug Weir. Edhe nëse ndodh që shpesh të gjendesh në qorrsokak, për avokaten hollandeze Pauline Verheij, puna që bën është e rëndësishme. “Kjo punë mund të kontribuojë për të rritur vetëdijen edhe tek pala tjetër, ata që blejnë gjëra të tilla ose që përfitojnë prej tyre.”