Profesoreshë Silva Bino ka sqaruar në një prej emisioneve televizive, planin e mbërritjes së vaksinave në Shqipëri, si edhe atë të shtrirjes së vaksinimit në popullatë.
Ditët e fundit ka patur një kakofoni zërash, shumica e të cilëve pa lidhje me profesionin e epidemiologut apo të mjekut, dhe sqarimet e bëra nga Bino hedhin dritë mbi shumicën e mëdyshjeve të artikuluara në studiot televizive apo në rrjetet sociale.
Në lidhje me mbërritjen e dozave të vaksinës Pfizer/BioNtech, Bino ka sqaruar se sipas dakordësimit me kompaninë në SHBA, javën tjetër do të mbërrijnë në Shqipëri 10 mijë doza të kësaj vaksine, e cila siçështë bërë e ditur tashmë, ka një noromë sigurie dhe mbrojtjeje prej 95%, më e larta ndër vaksinat në qarkullim.
Më tej, gjatë muajit shkurt sipas Binos në Shqipëri do të mbërrijnë 30 mijë doza të tjera po nga kjo kompani, ndërkohë që në fillim të marsit do të mbërrijë edhe sasia prej 460 mijë dozash, duke plotësuar kështu totalin e 500 mijë dozave të vaksinës, për të cilat qeveria shqiptare ka firmosur kontratën me Pfizer.
Bino ka bërë të ditur se marrëveshja me Covax është paralelisht në fuqi, një marrëveshje që, siç ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, Shqipëria tashmë e ka bërë pagesën paraprake. Edhe nga Covax, pritet mbërritja e vaksinave deri në muajin mars, sipas krye-epidemiologes.
Bino ka deklaruar se bazuar në marrëveshjet e firmosura tashmë, Shqipëria pritet që në tre muajt e parë të vitit të sigurojë 1.6 milion vaksina, për të vaksinuar 800 mijë qytetarë shqiptarë. Sipas saj, Shqipëria i ka kapacitetet dhe mundësitë për vaksinimin deri në fund të vitit të të gjitha grupeve të popullatës.