Në emisionin “Absolut 4” në A2, kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, foli edhe për procesin e vaksinimit në vendin tonë dhe efektet e mundshme anësore që mund të ketë vaksina. Brataj zbuloi se deri tani në vendin tonë janë vaksinuar 483 persona. “Transporti, ftohja, janë marrë përsipër nga vetë kompania Pfizer. Njerëzit po tremben, por nuk i jep vaksina efektet anësore.
Efektet anësore janë si emotive, alergji, por jo vetëm nga vaksina. Kjo vaksinë që ka ardhur, nuk është virus i dobësuar, por është proteinë që nuk shkakton dot sëmundje, por vetëm antitrupa. Kushdo që e bën vaksinën, nuk ka rrezik që t’i shkaktohet sëmundja. Për efektet anësore janë ekipet e urgjencës shëndetësore që ne i kemi lënë në dispozicion. Për fat të mirë, edhe në botë janë shumë të rralla rastet që kanë shfaqur efekte anësore. Deri tani, te ne nuk kemi pasur asnjë rast”, u shpreh Brataj.