Lënia e mandateve nga opozita dy vjet më parë, duket se po e vështirëson procesin e regjistrimit për zgjedhjet e 25 prillit. Teksa po afrohen afatet për regjistrimin e subjekteve zgjedhore në KQZ, sipas kushteve të Kodit Zgjedhor, PD dhe LSI duhet të dorëzojnë edhe një liste emërore të mbështetësve të tyre, dhe jo pak, por mbi 14 mijë firma, të shoqëruara me kartat e identitetit.

Duke mos pasur asnjë deputet në parlament, Kodi Zgjedhor, kërkon mbështetjen nga 7 mijë qytetarë me të drejtë vote për çdo koalicion që regjistron një listë kandidatësh për zgjedhje.

Konkretisht, neni 68, pika 1 e Kodit Zgjedhor, përcakton se një parti pa mandate në Kuvend, duhet të dorëzojë 5 mijë firma për regjistrim, ndërsa një koalicion 7 mijë firma,. raporton euronews albania!

Tashmë është vendosur që PD dhe LSI do dalin me dy lista, ç’ka nënkupton që secila duhet të mbledhë firmat për listën e vet.

Burime nga PD bëjnë me dije se të gjitha degëve të saj në rrethe u është shpërndarë ky formular tip i KQZ-së për t’u plotësuar me emra, nënshkrime dhe kopje të kartës së identitetit, i cili më pas do të depozitohet në KQZ së bashku me listën shumë-emërorë të kandidatëve për deputetë.