Nga M.Nikaj/ Lulzim Basha në emër të Partisë Demokratike ka publikuar Programin qeverisës, i cili do të implementohet në Shqipëri, nëse PD fiton zgjedhjet parlamentare më 25 prill! Madje është “kujdesur” shumë që të “godasë” në idenë se bëhet fjalë për një program me shtrirje kohore prej 8 vitesh. Pra me një “goditje” më 25 prill PD u kërkon qytetarëve shqiptarë të votojnë demokratët për dy mandate qeverisëse, qëndrim që ka shkaktuar frikë tek votuesit, të cilëve u kërkohet me “detyrim përcaktim” të votojnë dhe për një mandat të dytë, pa bërë bilancin e mandatit të parë qeverisës.
Fatura financiare e këtij programi është afërsisht 700 milionë euro në vit, vetëm shpenzime konsumatore dhe në shërbim të shtresave të popullsisë si rinia, pensionistët, të papunët dhe shtresa të tjera vulnerabël në vend.
Nuk bëhet fjalë për investime që të gjenerojnë të ardhura dhe të ngrenë nivelin ekonomik në vendit në tërësi, duke “ngrirë” në 4 vitet e para të qeverisjes së pretenduar të PD afërsisht 2.8 miliardë euro.
Një shumë katastrofike për një ekonomi të brishtë si ajo që është në Shqipëri, në këtë kohë pandemie ku dhe shtetet më të fuqishme në botë nuk ia dinë fundin dhe me pasojat e tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar nëpër këmbë!
Eshtë një skemë tipike “Piramidale”, ku shtuar dhe uljen e taksave, të kontributeve të të punësuarve në zërin e Sigurimeve Shoqërore, marrjen nën “kujdes” të fëmijëve deri sa të martohen me mbajtjen me para, apo pagesa në shkolla, që nga trajtimi ushqimor, transporti, librat, pasoja është akoma më e rëndë.
Një faliment i paralajmëruar ende pa ardhur në pushtet, që na kujton ngjashëm skenarin grek të vitit 2016, kur fqinji ynë jugor u zhyt në recesion, thjeshtë dhe vetëm se i bëri paratë e buxhetit të shtetit dhe kreditë “rrush e kumbulla”, duke e kthyer vendin në një shoqëri konsumatore.
Që nuk prodhon asgjë, por që për interesa thellësisht elektorale qeveritë e njëpasnjëshme premtuan mirëqenie për qytetarët grekë, që pa punuar, thithën të mira materiale nga buxheti i shtetit për vite e vite me radhë, mashtruan me bilancet Brukselin zyrtar, e shteti falimentoi.
Aq sa doli në shitje dhe u desh një mund i madh për të marrë kredi dhe u deshën vite të tëra për të arritur në bilance zero dhe filluar rimëkëmbjen. U arrit deri atje sa dolën në shitje dhe Akropoli i Athinës dhe disa nga ishujt më të famshëm grekë, ndërsa PASOK, partia që i mbeti në “dorë” falimenti, nga parti e parë politike që qeverisi e vetme mandatin e fundit, u kthye në parti të pestë në vend, që luftonte për të kaluar pragun për të hyrë në Parlament.
I njejti fat mund të ndjekë dhe PD të Lulzim Bashës nëse vijon me këtë program tërësisht të pastudiuar duke ardhur në pushtet, aq sa dhe vetë ekspertët e PD kanë nisur të “zbythen” nga shumë pika, duke deklaruar se bëhet fjalë për një shtrirje 8 vjeçare të implementimit.
Duke e krahasuar me skenarin grek, ku të gjithë specialistët vendas dhe ata të BE deklaruan se skema e pensioneve ishte ajo që e fundosi Greqinë, mund të themi se i njejti skenar u prezantua dhe ditën e djeshme nga Basha për pensionet!
“Për 8 vite Rama jua rriti taksat shqiptarëve dhe i varfëroi ata, unë angazhohem t’i ul taksat mbi të ardhurat personale në 9%, duke ruajtur fashën mbrojtëse ekzistuese prej 30 mijë lekësh, dhe po kështu të vendosim taksën 9% të fitimit mbi të gjitha sipërmarrjet shqiptare me një xhiro vjetore mbi 14 milionë lekë të reja. Unë angazhohem të ul sigurimet shoqërore në vlerën 18%.
Totali i taksave dhe tarifave vendore i bizneseve të vogla e të mesme nuk do të jetë më i lartë se 0.5% e xhiros. Ky është angazhimi im dhe i qeverisë sime për biznesin e vogël e të mesëm”, tha Basha ditën e djeshme.
Të njejtën gjë tha dhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi disa ditë më parë, teksa prezantoi programin e saj ekonomik, ku përfshihej edhe një bonus prej 1 mijë dollarësh për fëmijët e porsalindur për 25 vite. Ndërsa Basha parashikon në programin e PD-së, që për bebet e porsalindura do të kishte një bobnus prej 30.mijë lekësh të vjetra në muaj për 5 vite.
Tek programi i PD, pikat e tjera janë mbulim i shpenzimeve arsimore për tarifat arsimore për 90% të studentëve që vijnë nga familje me të ardhura më pas 640 mijë lekë të vjetra në muaj.
Programe pas shkollore edukative për fëmijët dhe ushqim në shkollë për orët shtesë; Tekste shkollore falas për të gjithë ciklin parauniversitar;
Çdo familje do të përfitojë për çdo të porsalindur një pagesë mujore 3 mijë lekë të reja në muaj për 5 vitet e para të jetës; Çdo vit, 5000 çifte dhe familje të reja do të përfitojnë nga subvencionimi i plotë i interesave të kredive për strehim;
Qeveria do të paguajë 100% interesat bankare për çdo kredi të marrë për një apartament apo banesë. Pra, të rinjtë nuk grishen për të punuar, por nga lindja e deri në bërjen më fëmijë, mbeten me sytë nga shteti, duke përfituar pagesë falas.
Pra mot a mot si programi i qeverive greke të para-recesionit që e përfshiu në vitin 2016, i realizuar nga të gjitha partitë fituese greke.
Në fund të herës, pensionistët u bënë shtresa më e prekur nga kriza në Greqi, por në një farë mënyrë edhe “fajtorët” e kësaj krize. Kjo është analiza që i bënë ekspertët në atë kohë situatës në Greqi, e cila paralelisht me qytetarët grekë, preku edhe qindra familje shqiptare në emigrim.
Ekspertët shpjeguan pasojat që ka dhënë në krizën greke ndër vite skema e sigurimeve shoqërore, e cila sipas tyre është keqmenaxhuar ndër vite dhe po i jep efektet në vijimësi.
“….Një nga shkaqet e krizës greke është edhe sistemi i sigurimeve shoqërore. Është krijuar një gropë që po thith shumë fonde nga të ardhurat e Greqisë. Statistikat e fundit treguan se 50 % e të ardhurave u derdhen për efekt të sigurimeve shoqërore që kapën rreth 17.7 % të GDP-së.
Po kështu vetëm financimi nga buxheti i shtetit përveç atyre të kontributeve të derdhura ishte 14 miliardë euro, sidomos në vitin 2014, një shumë tepër e madhe.
Pra kishte një keqmenaxhim të skemës së sigurimeve shoqërore që erdhi së pari nga pensionet e parakohshme. Para disa viteve dilnin në pension të parakohshëm mosha të reja në Greqi, po kështu ishin pensionet për punët e vështira nga grekët, ku hynin edhe parukierët edhe disa punë zyrash që dilnin 55 vjeç në punë, pra me 25 vite punë.
Po problem ka qenë edhe informaliteti në fushën e pensioneve, ku ka rezultuar që vetëm në dekadën e fundit ka pasur pensione false që kapnin shifrën e 8 miliardë eurove”, u shpreh një nga ekspertët më të mirë në atë kohë!
Ai këmbëngul se “në keqmenaxhim ka ndikuar edhe koeficienti i zëvendësimit; pra raporti i pensionit që del me pagën që kishe para daljes në pension, ky raport ishte tepër i lartë 95 %, që do të thotë nëse një person e kishte pagën 1 mijë euro merrte 950 euro pension.
Ndërsa informaliteti zinte 30 % të GDP-së, sidomos te emigrantët sepse grekët e rinj në moshë nuk punoiunë në punë të çfarëdoshme dhe këtë punë e zëvendësojnë emigrantët. Grekët donin punë zyre të kualifikuara, dhe gjithë punët e vështira i bënin emigrantët tanë, edhe pa sigurime”!
Ndërkohë që një problem më vete që rëndoi skemën e pensioneve, ishte mplakja e popullsisë, drejt së cilës ka shkuar tashmë dhe Shqipëria, e cila pak ditë më parë, në një raport të organizatave serioze të hulumtimit të statistikave, tregoi se kishte bilanc negativ.
Kjo solli në Greqi përshpejtimin e falimentit ekonomik, duke detyruar shtetin që për të mbushur gropën e krijuar nga sigurimet shoqërore, ishte ulur në mënyrë drastike për nevoja elektorale kontributi i të punësuarve, të derdhë rreth 15 përqind të buxhetit të përvitshëm.
Ndërkohë që dhe në Shqipëri Instituti i Sigurimeve Shoqërore parashikon se deri në vitin 2022 numri i pensionistëve që shtohen në skemën e sigurimeve shoqërore rishtas arrijnë në 48 mijë me një shtesë vjetore mesatarisht 16 mijë pensionistë të rinj në një vit.
Duke pasur parasysh se deri më tani në skemë janë 650 mijë pensionistë, numri i tyre parashikohet që të arrijë në 700 mijë pas një viti. Ndërkohë që shteti, me programin e Bashës nëse vjen në pushtet, do të duhet të mbulojë kontributet e sigurimeve shoqërore nga buxheti i saj, duke kaluar gati 17 përqind të tij, për të mbushur gropën e krijuar nga ulja e kontributit.
Pikërisht një skemë e tillë mund të rrënojë shtetin dhe të përsërisë skenarin grek të vitit 2016, kur vendi shkoi në faliment. Kjo mund të çojë nxjerrjen në “ankand” të pasurisë së shqiptarëve, që nga hidrocentralet e deri tek vijën bregdetare dhe të vetmin ishull që kemi, Sazanin.
Berisha në fund të vitit 2012 dhe në fillim të vitit 2013 e bëri një gjë të tillë, pasi dha për një “copë bukë” HEC-et e Ulzës dhe Shkopetit, me vetëm 46 milionë euro, ndërkohë që fitimin vjetor neto këto dy prodhues energjie të pastër e kishin 43 milionë euro!
Shqiptarët e kanë provuar njëherë falimentin e shtetit nga skemat mashtruerse piramidale, viti 1997 i rrëzimit të “Piramidave” është i pashlyeshëm në memorjen e tyre për tragjedinë që solli. Një skemë e re “Piramidale” përmes shpenzimeve pa ditur burimin se ku do të gjenerohen të ardhurat do të ishte një katastrofë e re për Shqipërinë dhe balancat financiare të shtetit./TemA