Nga Edi Rama*

Sot bëhen plot 10 vjet nga tragjedia e 21 janarit dhe në këtë 10 vjetor qeveria e Republikës së Shqipërisë ka vendosur të japë titullin e lartë të Dëshmorit të Atdheut për të katër dëshmorët e protestës paqësore të 21 janarit. Njëkohësisht, sot është dita për të bërë një reflektim pas këtij rrugëtimi dhjetë vjeçar në përpjekjen për të kuptuar bashkërisht se si ajo ngjarje tragjike dhe katër jetë të pafajshme të humbura kanë ndikuar historinë tonë të re në dy drejtime themelore. Nga njëra anë, në drejtim të marrëdhënies së qeverisë me protestën dhe nga ana tjetër në drejtim të transformimit të sistemit të drejtësisë.

21 janari përtej plagëve të pangushëllueshme që hapi në shpirtin e familjeve të të katër dëshmorëve dhe përtej plagës së madhe që hapi në shoqërinë tonë, shërbeu për të nxjerrë në pah në sytë e të gjithëve llumin e politikës dhe të drejtësisë, të politikës si mjet në funksion të pushtetit të kthyer në qëllim në vetvete dhe të drejtësisë si një mur i madh i pakapërcyeshëm për njerëzit e këtij vendi dhe për shoqërinë tonë në përpjekjen e transformimeve demokratike dhe të kalimit nga një regjim totalitar në një shtet funksional mbi bazën e lirive dhe të drejtave të njeriut. Nëse e shohim në aspektin e parë, unë besoj që sot kemi të gjitha arsyet për t’u përulur me mirënjohje të madhe përpara kujtimit të këtyre 4 dëshmorëve, humbja e jetës së të cilëve faktikisht vuri një vijë të kuqe dhe qartësisht të lexueshme për të gjithë, duke bërë të pakapërcyeshme forcën e shtetit në raport me lirinë dhe të drejtën për të protestuar.

Unë jam sinqerisht krenar që ne si pjesë e asaj përpjekjeje në një kohë tjetër dhe në një kohë tejet të vështirë e të ngatërruar me marrjen e përgjegjësisë së madhe të qeverisjes së vendit kemi qenë mishërimi i një vullneti të palëkundur për të garantuar për të gjithë dhe gjithmonë, lirinë dhe të drejtën për të protestuar dhe në situata shumë herë më dramatike nga pikëpamja e kërcënimit të fuqisë së protestës në tejkalim të të gjithë asaj kornize që përcakton Kushtetuta dhe ligji për të drejtën për të protestuar, kemi garantuar një reagim proporcional duke siguruar në çdo rast që, në radhë të parë jeta e protestuesit të mos vihet asesi në pikëpyetje dhe dinjiteti i protestës që është dinjiteti i shoqërisë të mos shkelet në emër të mbrojtjes së gardhit apo në emër të mbrojtjes së hapësirës tej gardhit pavarësisht ekseseve të përsëritura me të cilat e gjithë shoqëria është përballur drejtpërdrejtë duke ndjekur zhvillimin e protestave. Janë të gjithë dëshmitarë po ashtu të një të vërtete tjetër që tanimë është kthyer në normë, të vërtetës se protesta është shprehje e të drejtës dhe nevojës për t’u dëgjuar dhe si asnjëherë më parë në këto vite, qeveria e Republikës së Shqipërisë ka pasur jo vetëm vullnetin për të dëgjuar, por dhe karakterin për të reaguar deri edhe duke kërkuar ndjesë kur protesta ka shpalosur përmes të drejtës së vet, arsye, të cilat kanë treguar që ka qenë qeveria në pozitën e palës që duhet të tërhiqet dhe kanë qenë protestuesit në pozitën e palës që jo vetëm duhet të dëgjohet, por edhe duhet të vlerësohet, duke i dhënë të drejtë për argumentin.

Natyrisht, nëse protesta është një e drejtë e padiskutueshme, e drejta nuk është gjithmonë me ata që protestojnë, por në të gjitha rastet, vlerësimi maksimal dhe garantimi pa diskutim i kësaj të drejtë të padiskutueshme është detyrë e patjetërsueshme e atyre që qeverisin dhe nuk ka më asnjë krahasim nëse 21 janarin e marrim si pikën kulmore të degradimit të pushtetit në një shëmbëlltyrë të shembullit të forcës dhe jo të forcës së shembullit. Nga ana tjetër, unë jam shumë i vetëdijshëm që sa herë flitet për 21 janarin dhe sa herë vjen 21 janari, shumë zemra të lënduara dhe mendje të trazuara nga kujtimi i asaj tragjedie që për hir të vërtetës ishte rezultati i një barbarie të papërputhshme me kontinentin ku ne jetojmë dhe pa të ngjashme me situata në vendet e kësaj familjeje europiane të cilës ne i përkasim, menjëherë ngrenë shqetësimin, ngrenë pikëpyetjen, ngrenë edhe akuzën në drejtimin tonë, duke thënë një të vërtetë që drejtësia për 21 janarit është e papërfunduar, larg së qeni e përfunduar, por duke ngatërruar nga ana tjetër kohën. Kemi sot dhe nuk jemi që në fakt prej vitit 1990 në një kohë kur politika, partia apo partitë që qeverisin, qeveria vetë apo kryeministri mund të bëjnë atë që i takon ta bëjë drejtësia.

Parlamenti nuk bën gjyqe e nuk jep vendime gjyqësore.

Qeveria nuk bën roli e Prokurorisë dhe as ministri i drejtësisë dhe as ministri nuk ngrenë akuza penale për t’ia çuar gjykatës së partisë. Është drejtësia që i bën të gjitha këto, pushteti gjyqësor, një prej tre pushteteve kushtetuese në një sistem demokratik dhe krejt i pavarur qoftë nga pushteti legjislativ, qoftë nga pushteti ekzekutiv. Shumëkush e konsideron këtë një përpjekje për të justifikuar faktin që ende sot drejtësia nuk e ka kryer detyrën e vet për të vënë në vend secilin nga pjesëmarrësit në atë tragjedi, për të vënë në vend të drejtën e padiskutueshme të të gjithë të afërmve, fëmijëve, prindërve, motrave dhe vëllezërve dhe përtej tyre të katër dëshmorëve të 21 janarit dhe për të vënë në vend atë që në fund të fundit e materializon një proces drejtësie. Të drejtën e reflektuar tek ndëshkimet.

Në fakt, ky nuk është një justifikim, kjo është e vërteta dhe ajo që e dallon qartësisht këtë vërtetë të thënë kështu nga ne me të njëjtën të vërtetë të thënë në kushte të tjera është se ne nuk kemi ndenjur duarkryq, përkundrazi. Nëse nuk jemi ne përfaqësuesit e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv që mund të bëjmë prokurorin apo gjykatësin, jemi ne që kemi përgjegjësinë dhe detyrimin për të siguruar të gjithë ngrehinën ligjore dhe rregullatore të një sistemi drejtësie që të jetë në gjendje të bëjë këtë që njerëzit kërkojnë për 21 janarin dhe jo vetëm për 21 janarin, por për shumë e shumë padrejtësi të bëra në të shkuarën apo që vazhdojnë të bëhen në të tashmen, në kushtet kur sistemi i drejtësisë është ende larg së qeni një sistem drejtësie që bën drejtësi e që garanton barazinë e të gjithëve përpara drejtësisë.
Jemi ne që vijmë nga rruga e kësaj tragjedie që kemi vendosur, jo thjesht në program as thjesht në rendin e prioriteteve programore, por në rrugën e zgjidhjes problemin e madh të çlirimit të drejtësisë dhe të krijimit edhe në vendin tonë të një drejtësie të denjë për një shtet funksional.

Nëse e shohim 21 janarin me sytë e të djeshmes, pa diskutim që ka 1001 fjalë që mund të thuhen për të argumentuar se nuk është bërë asgjë, përderisa sot e gjithë ditën të katër dëshmoret e 21 janarit, 10 vjet pasi janë ndarë nga jeta nuk prehen të qetë. Ashtu sikundër, të gjithë familjarët e tyre, të gjithë të afërmit dhe miqtë e tyre sa herë që ajo plagë dhemb, nuk ka se si të marrin frymë të lehtësuar, së paku nga fakti që është bërë drejtësi. Por nëse e shohim 21 janarin me sytë e të nesërmes dhe nëse bëjmë një vlerësim objektiv mes situatës së sotme dhe asaj të djeshme të sistemit të drejtësisë, kemi të gjitha arsyet që të jemi besimplotë dhe të inkurajuar që transformimi po funksionon. Natyrisht, rruga e përmbushjes së këtij transformimi është ende për t’u ndërtuar. Në një farë mënyrë jemi në mes të rrugës mes së djeshmes dhe të nesërmes, siç jemi në mes të rrugës mes së djeshmes dhe të nesërmes në çdo drejtim për hir të vërtetës. Siç janë sot kantieret e rindërtimit pas tërmetit, që janë ende të pabanueshme, por pa diskutim janë aty dhe tregojnë që më e keqja është lënë pas krahëve dhe më e mira është e gjitha përpara. Janë aty ku deri dje kishte toka kënetore dhe rrënoja të së shkuarës, njësoj siç ishte Shqipëria në të gjithë sektorët e vetë 7 vite më parë, ndërsa sot ka terrene të konsoliduara, infrastrukturë të ndërtuar, themele të hedhura dhe kate që ngrihen njëra pas tjetrës.

Ku janë sot ata, të cilët duke përdorur çekiçin e gjykatësit të Republikës së Shqipërisë e sakatuan përmes seancash gjyqësore absurde, të drejtën e të gjithë familjarëve dhe të gjithë shoqërisë për të parë drejtësi për 21 janarin. Një pjesë e tyre nuk janë më në sistemin e drejtësisë. Janë larguar nga sistemi si pjesë e llumit që vazhdon të pastrohet në këtë sistem. Një pjesë tjetër janë larguar, duke dhënë dorëheqjen, të vetëdijshëm që si pjesë e lumit, nuk mund ta kalonin filtrin e pastrimit të sistemit dhe një pjesë tjetër janë akoma në punë, pasi ende nuk i ka ardhur rradha për të kaluar në filtrin e Vetting-ut, duke qenë se janë në nivelin e shkallës së parë. Kjo është pasqyra krejt e ngjashme me kantierin e rindërtimit, në çdo sektor tjetër, edhe në sistemin e drejtësisë. Këtu ka diçka për të shtuar që është shumë e rëndësishme. Shumëkush mendon se me Vetting-un dhe pastrimin e këtij llumi mbaron llogaridhënia e këtyre njerëzve.

Mbase shumëkush ka menduar se Vetting-u është në të njëjtën kohë dhe një shkallë ndëshkimore për sistemi. Jo! Vetting-u është filtri që pastron të gjithë prurjen në sistem. Vetting-u është pjesë e të gjithë një infrastrukture të ngritur për ta vendosur drejtësinë e re në themele të reja dhe për të garantuar që i gjithë organizmi i drejtësisë së re është i pastruar nga metastazat e një kanceri që e degradoi në mënyrë të vazhdueshme sistemin, duke degraduar në fakt në mënyrë të vazhdueshme organizmin e shtetit dhe shoqërisë sonë. Do jetë pikërisht faza tjetër, ajo e sistemit të pastruar nga kanceri, që do të realizojë atë që njerëzit presin me një padurim absolutisht të mirëkuptueshëm; goditjen e të gjithë atyre që e morën peng drejtësinë për vite e vite të tëra dhe e bënë vendin tonë një vend ku e drejta u kthye në një mall që shitej e blihej.

Edhe sot që flasim, e drejta nuk është ndarë përfundimisht nga malli. Trajtohet si mall në shumë çështje, në shumë gjykata, nga gjykatës e prokurorë të cilët janë pjesë e atij llumi që vazhdon të pastrohet, por nëse shohim shifrat e atyre që janë larguar, ato kanë tejkaluar edhe parashikimet më pesimiste, në sensin e të qenit shumë, shumë. Të gjitha parashikimet e bëra kur konceptohej Reforma në Drejtësi, kur bëheshin analizat e sistemit, kur parashikohej thellësia e penetrimit të kancerit në sistem, flisnin për shifra të mundshme që janë tejkaluar sot që flasim pa mbaruar procesi. Kjo është një sfidë e madhe në vetvete, në sensin e zëvendësimit të këtij gjaku të prishur me gjakun e ri. Por kjo është një temë tjetër. Nëse do të lexojmë dosjen e gjykimit për dy persona të akuzuar për 21 janarin, po të mos e dish që kjo është një ngjarje që ka ndodhur, kjo është një dosje e një procesi për një ngjarje të ndodhur, me siguri mund të mendosh që në fakt këto janë faqe të një libri satirik. Dy persona të evidentuar si persona që kanë qëlluar, si persona që kanë vrarë, konsiderohen nga gjykata si dy individë që nuk kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, nuk e njihnin asnjërin prej viktimave dhe nuk kanë pasur bashkëpunim me persona të tretë dhe faktikisht, e thotë Gjykata e Apelit, nuk e them unë. Nuk e thotë me fjalë, me shkrim, që këta persona nuk kanë dashur të vrasin, por nga vetëbesimi i tepruar, kanë krijuar viktima.

Njësoj si terroristët që nuk njohin viktimat kur vënë një bombë në një stacion. Njësoj si terroristët që nuk bashkëpunojnë me palë të treta, por kanë një vetëbesim të tepruar për të vendosur një rend të ri botëror dhe vrasin njerëz dhe janë të pafajshëm. Ky është absurdi i jetës reale të organizmit të sistemit të drejtësisë me të cilën ne jemi përballur dhe vazhdojmë te përballemi nga pozicioni që na takon, i pushtetit legjislativ dhe pushtetit ekzekutiv që përpiqen të çojnë përpara, deri në und, për atë pjesë që u takon, reformimin e plotë të sistemit të drejtësisë. Duken të gjitha si fjalë që i përkasin një leksioni akademik, por nuk janë të tilla. Përkundrazi, janë fjalë që përpiqen të thonë se e gjitha kjo, që materializohet në këtë 10 vjetor, si drejtësi e munguar ende, së pari ka arsye që lidhen me zgjedhjen që kemi bërë, duke vendosur që të kalojmë nga një regjim totalitar në një sistem demokratik.

Është gjithmonë një raport i vështirë në sistemin demokratik, raporti mes së mirës dhe së keqes sepse e mira nuk mund të marrë mjetet e së keqes për të lu ftuar të keqen dhe e keqja është gjithmonë një hap përpara deri në momentin kur goditet nga sistemi, jo nga njeriu, nga drejtësia, jo nga politika, nga gjykatësit, jo nga politikanët. Nuk jemi në vitin 1945 dhe nuk mund t’i kërkohet as qeverisë as shumicës parlamentare as partisë ose partive në pushtet të fusin njerëz në burg edhe kur ata njerëz janë parë me armë në dorë duke vrarë njerëz sepse këtu ndahet pikërisht kufiri mes demokracisë dhe çdo forme tjetër të organizmit shoqëror dhe ekonomik. Thënë të gjitha këto, unë dëshiroj të them se së pari më vjen shumë mirë që ne sot hedhim një hap të rëndësishëm, jo formalisht, duke i vendosur të katërt të rënët e 21 janarit aty ku ata e kanë vendin, në altarin e atdheut, si dëshmitarë të një kohe dhe të një historie ku humbën jetën jo rastësisht, por sepse besuan tek të drejtat dhe liritë e tyre dhe protestuan për të drejtat dhe liritë e tyre.

E nga ana tjetër, pavarësisht se në këtë moment nuk ka shumë për të thënë për rezultatin përfundimtar, por unë ndihem realisht krenar që ka shumë për të thënë për përpjekjen për të arritur tek rezultati përfundimtar që është krijimi i një sistemi drejtësie që bën drejtësi dhe ndarja përfundimtare e drejtësisë nga të qenit mall që shitet dhe që blihet. E nëse e sotmja me emocionet dhe me të gjithë ngarkesën e halleve te përditshme nuk i jep kësaj force politike dhe kësaj shumice, të gjitha kreditë e merituara për hapjen e kutisë së Pandorës, faktikisht hapjen e pusetave të mbyllura hermetikisht, të gjithë nëntokës të llumit, e nesërmja nuk ka asnjë diskutim që do ta vulosë si rol historik, gjithçka që ne kemi bërë dhe po bëjmë qysh se kemi hapur kapitullin e pastrimit të sistemit të drejtësisë dhe të transformimit të tij.
Unë gjithsesi ndihem mirë edhe për një fakt tjetër. Ne nuk kem i patur mundësi të bëjmë më shumë, por kemi bërë gjithçka kemi mundur për të mos i lenë vetëm të gjithë të afërmit familjarët dhe të gjithë fëmijët e të rënëve të 21 janarit, çka na jep lehtësinë e nevojshme për të qënë përpara kujtimit të tyre jo me kokën ulur për këtë pjesë. Nuk jemi ende me kokën lart për sa kohë i gjithë ky proces që përshkova nuk ka përfunduar, për sa kohë ka ende llum për të pastruar dhe për sa kohë ata që janë pastruar nga sistemi, akoma nuk kanë dhënë llogari, por patjetër që mund t’i shohim në sy me gjithçka që na është dashur të bëjmë, gjithçka që bëjmë dhe gjithçka që do të bëjmë për familjet e tyre.

Sot, ne dorëzojmë familjeve simbolin e Dëshmorit të Atdheut për të dashurit e tyre dhe jam i bindur që prania e atij simboli në të katër shtëpitë do të jetë një pikë e dukshme referimi për vështrimin e fëmijëve kur të mendojnë për prindërit e tyre jo thjeshte në sensin e vlerësimit, por në sensin e besimit që drejtësia do ta bëjë të sajën dhe ata, të cilët i vranë për herë të dytë dhe i vranë në bashkëpunim me njëri-tjetrin me palë të treta të veshur nën togën e zezë të gjykatësve, do të përgjigjen. Do të përgjigjen ashtu siç do të përgjigjen të gjithë gjykatësit dhe prokurorët që sot janë angazhuar fort, për të bërë 25 prillin një referendum kundër kësaj qeverie, së bashku me udhëheqësin e këtij referendumi. Por sot nuk është koha për të folur për këtë, është koha për të kaluar tek dhënia e këtyre simboleve katër familjeve dhe për të shprehur, jo vetëm urimin që i përjetshëm të jetë kujtimi i tyre, por edhe bindjen se kujtim i tyre do të jetë i përjetshëm.

*Fjalimi i mbajtur në ambientet e Kryeministrisë me rastin e 10 vjetorit të vr asjeve shtetërore më 21 janar, nga Sali Berisha