Nga Adriatik Doçi
Në vitin 2011, Spartak Braho u angazhua pranë grupit të avokatëve për mbrojtjen e Ilir Metës, për të cilin Prokuroria kërkonte të dënohej me 2 vite burg për korrupsion, bazuar në video-skandalin e famshëm, ku Meta shfaqej me një bllok të zi në dorë në zyrën e ish-ministrit Dritan Priftit, duke bërë pazare me pasuritë publike, vendet e punës si dhe duke treguar ndikimin e tij në Gjykatën e Lartë. Meta u shpall i pafajshëm në janar të 2012, ndërsa videoja ishte publikuar në janar 2011.
Në atë kohë Braho ishte pjesë e LSI, ndërsa diktonte strategjinë mbrojtëse të Metës, ndonëse besohet gjerësisht se Metën e shpëtoi Sali Berisha, përmes gjyqtarëve të tij në Gjykatën e Lartë, të cilët i rrëzoi ‘kosa’ e Vetingut, me përjashtim të Ardian Dvoranit, i vemi që votoi kundra pafajësisë së Metës, ku për rrjedhojë u shpall edhe armik nga dyshja Meta-Berisha.
Në librin e tij me titull “‘Masakroni’ Servet Pëllumbin”, Spartak Braho, tashmë pjesë e PS, rrëfen për herë të parë rolin e tij si ‘avokat’ i Ilir Metës. Pas 10 vitesh, Braho thotë se Meta u tregua i ‘zellshëm’ dhe i pakujdesshëm në komunikimet me ish-ministrin Dritan Prifti dhe me disa biznesmenë, ndërsa shton se çështja u hetua keq, çka solli sipas tij edhe pafajësinë e Metës.
Pjesë nga rrëfimi i Spartak Brahos për çështjen ‘Meta’
“Çështja ‘Meta’ dhe akuzat e ndritura nga Prokuroria e Përgjithshme ndaj tij për korrupsionin në vitin 2012 apo siç quhet ndryshe ‘çështja 7 apo 700’, ndonëse ishe i një karakteri tjetër nga çështjet e ndjekura vite më parë, ishte angazhimi im si deputet dhe këshilltar ligjor pranë grupit të avokatëve të tij, G. Veleshnja dhe P. Seriani, proces që zgjati për një periudhë të gjatë kohe.
Në thelb synohej burgosja dhe eliminimi politik i Ilir Metës si drejtues i LSI, pas divorcit të tij nga Partia Socialiste.
Kam pasur gjithmonë mendimin se kjo çështje u nxit mbi bazën e intrigave midis ‘miqsh politikë’ që synonin të majisnin situatën sociale të janarit të vitit 2011 e shoqëruar kjo edhe më mitingun ku u vranë katër demonstrues që merrnin pjesë nga garda e Sali Berishës.
Kjo çështje u hetua keq, me gabime procedurale dhe ekspertiza audio-video tregoi se regjistrimet e shfaqura në emisionin e F. Çakullit ishin të manipuluara, siç ka pohuar relatori i dhe anëtari i trupit gjykues në Gjykatën e Lartë Ardian Dvorani.
Ishte kjo arsyeja që asnjëherë nuk u vërtetua ligjërisht dhe nuk u provua korrupsioni pasiv i Metës, ndaj edhe Gjykata e Lartë i dha pafajësi, ndonëse ai ishte treguar i ‘zellshëm’ dhe i pakujdesshëm në komunikimet me ish ministrin e tij Dritan Priftin dhe më një sërë biznesmenësh.
Meta, sipas vendimit unanim të gjykatës u shpall i pafajshëm ligjërisht, por i përgojuar dhe ‘fajtor’ moralisht. Shpesh ligji dhe morali nuk u udhëtojnë në një trajektore logjike”. (Shqiptarja.com)