Kryeministri Rama në një vizitë që zhvilloi sot në Bashkinë e Fierit u shpreh se spitali i Fierit që pritet të ndërtohet nga Turqia do të jetë shëmbëlltyrë e vizionit dhe ambicies që ka mazhoranca që ai drejton.
Rama porositi kryetarin e Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, që të mos ketë asnjë vonesë. Madje ai duke iu referuar premtimit të Erdogan për përfundim brenda 3 muajve të spitalit tha se pala shqiptarët sduhet të bëhet pengesë, nëse vonohen turqit të jetë faji i tyre.
Të përcaktojmë me urgjencë zonën, të jetë anës autostradës, të ketë akses të fortë në infrastrukturë dhe javën tjetër fillon puna. Ne do t’i vëmë në shërbim gjithçka, asnjë zvarritje. vendos tre vetave që të merren vetëm me këtë punë. Me pronarët e mundshëm do të bëjmë menjëherë kontaktin dhe marrëveshjen”, tha Rama.
Teksa ka postuar videon në Facebook, Kryeministri shkroi se shërbimi në këtë spital do të jetë falas.
“Nisim punën për Spitalin Rajonal, i cili do të ndërtohet me mbështetjen e qeverisë së Republikës së Turqisë, si dhe do të jetë njëkohësisht një qendër e transferimit të teknologjisë e të dijes nga sistemi shëndetësor turk në sistemin shëndetësor shqiptar, duke u administruar e drejtuar në çdo pavion prej ekspertëve e mjekëve turq për një periudhë tranzitore, deri në kalimin e kompetencave tek drejtuesit shqiptarë, të cilët do të punojnë e mësojnë krah për krah ekspertëve turq. Ky spital që do t’i shërbejë jo vetëm Fierit, do të jetë nga dita e parë pjesë e shërbimit tonë publik shëndetësor dhe natyrisht shërbimi do të jetë FALAS si në çdo spital publik të Shqipërisë”, shkroi Rama.
Ndërtimi i spitalit rajonal të Fierit ishte një prej marrëveshjeve që u firmosën në Ankara gjatë vizitës dyditore që Kryeministri Rama zhvilloi në Turqi.