Nga Klevis Bakillari/ Në fluturimin tim të parë nga Tirana në Stamboll, shkoja për një trajnim pune. ‘Turkish Airlines’ u shkëput nga pista e lagur e Rinasit, kërceu mbi fushat, kodrat, malet,brigjet e pyjet e gjelbëruar dhe u përzje në aerosolin e Ballkanit. Ndërsa perëndonte ngadalë, shpejt e pashë veten mbi pasqyrën liqenore të Ohrit e Pogradecit, pastaj tek numëroja porsi tespie fshatrat grekë me gjerdhanët e ndriçimeve rrugore dhe foleja e ndezur e kryeqytetit kulturor Selanikut. Ra nata. U ngjitëm lart. Një stuhi e butë u ndesh me ne dhe na përkëdheli me një lëkundje sa për të trembur gjumin.
Murgesha gjeorgjiane e cila ishte ulur pranë, filloi të lutej duke përcjellë kështu siguri e qetësi tek unë. Në ‘Ataturk Havaliman’ më priste mikpritësi turk Alptekin. U përqafuam vëllazërisht e më dha taksinë për në distriktin e Beshiktashit, lagjia Etiler, hoteli ‘Le Meridien Istanbul’ .
Kati i 27 shërbente një pamje panoramike të ngushticës së Bosforit, të urës së famshme ‘Fatih Sultan Mehmet’ që lidh Europën me Azinë dhe gjithë shtrirja e Stambollit të vjetër e të ri, një bukuri e magjishme, e vështirë për t’ja besuar vërtetësinë.
Në mëngjes u takuam poshtë tek bar kafeneja aromatike. Një llokum me arra shoqëronte filxhanin karakteristik të kafesë turke. Ndërsa po i thosha se kafeja turke më tepër më dukej një kulturë turke në vetëvete sesa thjeshtë një pije, ai shtoi se: “Provat e para për pirjen e kafesë vijnë nga Jemeni në shekullin e XV. Nga atje u përhap pastaj në Kajro dhe Mekë. Disa kronistë të famshëm të periudhës osmane thonë se në vitin 1640 është hapur kafeneja e parë në Konstantinopojë. Emri rrjedh nga fjala arabe ‘qahwah’. Rëndësia e kafesë në kulturën turke është treguar në fjalën ‘kahvalti’ (mëngjes) , që në turqisht do të thotë ‘para kafesë’. Kafeja jonë është vendosur në listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO-së me vendimin e seancës nr. 8-të të Komitetit ndërqeveritar të UNESCO-s të mbajtur në vitin 2013 në kryeqytetin e Azerbejxhanit, Baku. Kjo shkuma e kajmakut e mbanë të ngrohtë për një kohë të gjatë.” Ndërsa gëlltiti llokumin shtoi se ” këtu në Turqi themi të hamë ëmbël që të flasim ëmbël”. Kohën e kishim me pikatore dhe kafenë s’mund ta konsumonim ‘me orën turke’. U nisëm për në The Seed Avenue ku do të mbahej konferenca. Përgjatë vijës bregdetare europiane u shfaq një zonë piktoreske, Arnavutköy.
Në 1468, Sulltan Mehmed Pushtuesi kishte sjellë këtu shumë shqiptarë luftëtarë e tregtarë duke themeluar ‘Arnavutköy’, një lagje me emrin e tyre, që do të thotë ‘fshat shqiptar’. Në 1863, ‘Robert College’, shkolla më e vjetër Amerikane jashtë Shteteve të Bashkuara, u krijua në kampusin e saj aktual. Në vitin 1971, në një pjesë të kampusit u ndërtua Universiteti Boğaziçi, i cili ishte më parë sektori i kolegjit të shkollës.
Arnavutköy është historikisht i famshëm për shtëpitë e drunjta dhe për luleshtrydhet osmane, një lloj me më pak lëng dhe më i vogël se luleshtrydhet e zakonshme. Është një nga shumë lagjet historike të Stambollit ku mund të gjesh një xhami, një kishë dhe një sinagogë pranë e pranë. Trotuari buzë detit është gjithmonë plotë me njerëz që peshkojnë, ndërsa anije të vogla qarkullojnë papushim.
Në përfundim të konferencës konsumuam drekën plotë erëza dhe bakllavanë me shumë pistash. U nisëm për në Bririn e Artë (Altın Boynuz), zona e Stambollit ku piqet e vjetra me infrastrukturën moderne. Grekët ishin themeluesit e Chrysokeras (briri i artë grek). Me sa duket,i dhanë këtë emër për shkak të formës ngjasuese me bririn dhe ngjyrës së veçantë që merrë uji i gjirit gjatë perëndimit. Ekziston edhe një legjendë tjetër e bukur. Pasi u krijua një hendek i madh në murin e Kostandinopojës dhe trupat osmane filluan të pushtonin lagjet e para të qytetit, banorët e qytetit(grekët) hodhën të gjitha rezervat e tyre të arit në ujërat e gjirit në mënyrë që pushtuesit të mos e përvetësonin atë. Lagjet Fener, Kasimpasha, Dolmabahçe dhe Vefa janë më mbresëlënëset në këtë anë të Stambollit. Akoma me tepër janë urat e Gallatës, Khalich dhe Ataturk.
Në morinë e atraksioneve në zonën e Gjirit të Bririt të Artë janë
Parku Miniaturk;Pallatet Topkapi dhe Tekfur Saray;Kompleksi i Xhamisë Suleymaniye; ish Katedralja e bërë xhami e Hagía Sophia; Çisterna Bazilikë.
Veçojmë Xhaminë Suleymaniye që është ngritur në shekullin e XVI-të mbi gjirin e Bririt të Artë. Renditet e dyta për nga rëndësia në qytet. Sipërfaqja e përgjithshme e kompleksit është 63 mijë metra katrorë ndërsa vetë xhamia zë 4322 m katrorë. Është e famshme për madhështinë dhe thjeshtësinë e linjave. Gjatë ndërtimit u përdorën fortifikime të veçanta nëntokësore, të cilat lejuan që xhamia të përballonte plotë 89 tërmete gjatë këtyre 450 viteve. Kubeja e xhamisë Suleymaniye arrin 48.5 metra lartësi, e cila është dy herë më e madhe se diametri i saj.
E ndërtuar 1,500 vjet më parë si një katedrale kristiane ortodokse, Hagia Sophia u shndërrua në një xhami pas pushtimit osman në 1453. Në vitin 1934 ai u bë një muze dhe është në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO.
Së fundmi është kthyer përsëri në xhami.
Dhe Parku Miniaturk i cili ndodhet në vendin simpatik të Syutluçe. Trashëgimia historike dhe kulturore e popullit turk paraqitet këtu. Mund të shihen në miniaturë, objekte që nuk ekzistojnë më siç është tempulli i Artemisës. Miniaturk është një park i madh, me një sipërfaqe prej 100 mijë m2, i hapur në prill të 2003. Ekspozita përfshin 105 objekte, të krijuara në një shkallë zvogëlimi prej 1:25. Është mahnitëse të shikosh një hekurudhë të vjetër në miniaturë, një autostradë me automjete në lëvizje, një aeroport me modele të mrekullueshme të të gjitha llojeve të avionëve apo anijet që lundrojnë përgjatë kanaleve të detit ! Çfarë ndjesie të shohësh me sytë e tu altarin e Zeusit e t’i nënshtrohesh një retrospektive të përmasave e vlerave të jashtëzakonshme historiko-kulturore!
Në Mesjetë, kur Stambolli ishte pjesë e Perandorisë Osmane, qyteti kishte mbi 1.400 tualete publikë, në kohën kur tualete nuk ekzistonin as në pallatet mbretërore në mbretëritë më të mëdha evropiane.Metroja në Stamboll është një nga metrotë më të vjetra në botë, e cila ekziston që nga viti 1875. Më të vjetra janë vetëm metroja në Londër (1863) dhe në Nju Jork ( 1868). Në histori, Stambolli ishte kryeqytet i tre Perandorive: Romake, Bizantine dhe Osmane. Megjithatë sot, Ankaraja është kryeqytet i Turqisë. Katër kuaj bronzi që sot zbukurojnë katedralen San Marko në Venecia janë vjedhur nga Stambolli në shekullin e XIII nga kryqtarët.
Agata Kristi shkroi romanin e njohur “Vrasja në Orient Express” në hotelin Pera Palas në Stamboll, pasi personalisht ishte udhëtar i trenit të famshëm që udhëtonte nga Parisi në Stamboll në periudhën 1883-1977. Ai ka qënë ndalesa e fundit e këtij treni, në stacionin hekurudhor Sirkexhi gari (stacioni kryesor hekurudhor në pjesën evropiane të Stambollit).
Tregu i madh në Stamboll (Kapali Çarshi) është tregu më i madh i mbuluar në botë me mbi 3000 dyqane.Stambolli përfshin sipërfaqe sa shteti Belg, me një numër pothuajse të barabartë të popullatës ( rreth 12 mijë km2 dhe 14 milionë banorë). “Toka dhe shkëmbinjtë në Stamboll janë të arta”. Kjo parullë e famshme e viteve 50 të shekullit të XX ka sjell numër të madh të njerëzve nga fshatrat në këtë qytet magjik.
Në Stamboll gjendet kisha-xhami më e madhe në botë (Shën Sofija) dhe e vetmja (që ka shërbyer si muze) për ndikimin e ndërthurur mes dy religjioneve dominuese në rajon, krishtërimit e islamit.
“Eja ulu, pi pak çaj … tani je si në shtëpinë tënde” më tha mikpritësi turk kur mbërritëm pasdite vonë në Le Meridien. Ndërsa avulli e ndiqte kamarierin porsi një fantazme paqësore e lozonjare, ai shtoi se : “Çaji ka një moshë 5000-vjeçare, edhe pse ka hyrë vonë në jetën e turqve, ai ka krijuar një kulturë më vete në shoqërinë turke. Në Turqi kultivohet një lloj i çajit të zi në pjesën lindore të Detit të Zi dhe kufijtë e rrethit Rize dhe ndër popull quhet çaji turk. Por shprehja “çaji turk” përdoret më shumë për mënyrën e veçantë se si përgatitet(zjehet/përvëlohet) dhe shërbehet çaji”.Gjatë gjithë qëndrimit tim të shkurtër, mikpritja turke ishte e jashtëzakonshme. Dhe nëse doni të mbani mend se si të thoni “faleminderit” në turqisht, thjesht thoni “çaj(tea), sheqer(sugar), një ëndërr( a dream)” (teşekkür ederim).
–
Fund.