Vota e emigrantëve është një premtim i hershëm i partive politike, por a do të jetë e mundur në 25 Prill?

Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi dha detajë në emisionin “Java në RTSH” teksa u shpreh se diskutimi ka mbetur tek forma sesi mund të realizohet vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

“Nëse ka një çështje ku dhe personalisht jam angazhuar është çështja e votimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Ne po punojmë që edhe emigrantët të votojnë atje ku punojnë dhe jetojnë. Sot nuk e them dot se në çfarë mënyrë do të votohet.

Fundin e javës tjetër presim të kalojmë aktin për të krijuar regjistrin e emigrantëve votues. Sepse Kodi Zgjedhor kërkon që nëse do të votosh ku jeton, duhet të shprehësh vullnetin dhe dëshirën. Do ta çojmë fletën me postë, apo me e-mail, për këtë nuk e kemi vendosur ende.

Ne do të ofrojmë një procedurë dhe një proces që do të jetë i besueshëm për të gjithë. Së pari për emigrantët, por edhe për vetë partitë politike. Do bëjmë gjithçka që të garantohet konsensusi i duhur për formën. Nëse do të marrim në konsideratë votimin me postë, do të shohim nëse të gjithë do të jenë dakord me protokollin. Por për dikë mund të ketë dyshimi dhe pikëpyetje ndaj do të konsultojmë edhe metodat e tjera” – tha Ilirjan Celibashi në “Java në RTSH”.