Sipas një studimi mbi gjuhën, fenë dhe kulturën të hartuar nga Zyra Federale e Statistikave (BFS) të Zvicrës lidhur me gjuhët e folura midis popullsisë që banon në vend, 57% e qytetarëve nën moshën 15 vjeç flasin në shtëpi (dialektin) e gjermanishtes zvicerane. Më pas vjen frëngjishtja me 28%, gjermanishtja standarde me 16% dhe italishtja me 8,8%.

Në lidhje me gjuhët e huaja të përdorura më se shumti në shtëpi nga kjo grup-moshë, e para vjen anglishtja me 7,5%, ndërsa më pas gjuha shqipe me 6.7%. Pas gjuhës shqipe renditet gjuha portugeze me 4.9%, spanjishtja me 4.9%, gjuha serbo-malazeze-boshnjako-kroate me 3.8% dhe turqishtja me 2.8%, transmeton lexo.com.al.

Ndonëse ky numër nuk mund të merret si bazë absolute për specifikimin e numrit të përgjithshëm të shtetasve me origjinë shqiptare në Zvicër pasi statistikat zyrtare mbështeten kryesisht në përkatësinë shtetërore dhe jo në atë etnike të të huajve, mbetet e qartë se komuniteti shqiptar në Zvicër përbën një pjesë shumë të konsiderueshme të popullsisë, ndërsa gjuha shqipe mund të krenohet se renditet krahë një gjuhë si ajo angleze e cila mbart gjithashtu statusin e një gjuhë mbarëkombëtare./Lexo.com.al/e.c.