Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se grupet e punës së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) janë në gatishmëri për të ndërhyrë për riparimin e çdo defekti në linjat e shpërndarjes së energjisë.
Balluku bëri të ditur se falë angazhimit të madh të brigadave të punonjësve të OSSH-së u bë e mundur edhe rikthimi i energjisë në zonën turistike të Valbonës, në Tropojë.
Aktualisht, tha ajo, po punohet për riparimin e linjës 40 km të gjatë në Kukës, e dëmtuar si pasojë e reshjeve të dëborës.
“Në Kukës, grupet e OSSH janë në krye të detyrës për të riparuar linjën 40 km të gjatë, e dëmtuar si pasojë e reshjeve të dëborës. Falë angazhimit dhe punës së bërë u bë e mundur normalizimi i situatës edhe në Valbonë. Jemi në gatishmëri të plotë me të gjitha kapacitetet për t’iu shërbyer qytetarëve”, deklaroi ministrja.