Këto kohë shkencëtarët kanë pak mundësi zgjedhje, përveçse të luajnë rolin e diplomatit, sidomos kur ata kanë të vërteta të pakëndshme për të raportuar. Çështja e mbylljes së shkollës, dhe faktit se për sa kohë do të vazhdojë kjo situatë është padyshim një nga këto tema të pakëndshme.

Kjo çështje ishte në fokus të një takimi interesant në Zoom më 4 janar, ku shkencëtarët e udhëhequr nga Mikael Vagner, profesor i mikrobiologjisë në Universitetin e Vjenës, prezantuan zyrtarisht një studim të gjerë mbi përhapjen e koronavirusit në shkollat austriake.

Në mesin e dhjetorit, Vagner pati deklaruar për “Der Spiegel”, se nga studimi rezulton se nxënësit e shkollave, kanë gjasa të infektohen me koronavirusin e ri po aq sa edhe mësuesit e tyre.

I vetmi ndryshim, është se infeksioni i tyre mbetet zakonisht i pazbuluar, pasi ata shfaqin rrallë simptoma. Si i tillë, minimizohet rreziku i infektimit nga fëmijët. Vagner dhe një grup shkencëtarësh në universitetet mjekësore në Grac, Linc dhe Inbruck, kanë hedhur më shumëdritë mbi këto raste.

Ata kanë nisur të testojnë mësues dhe fëmijë nga klasat e para deri në të tetat, në më shumë se 240 shkolla në të gjithë vendin. Dhe po mbështeten në testin standard PCR. Subjektet e ekzaminuara nuk kishin simptoma, ndaj nuk e kishin idenë nëse ishin të infektuar apo jo me SARS-CoV-2. Deri më tani, deri në 1.42 për qind e pjesëmarrësve në studim kanë rezultuar pozitiv – dhe shkalla ishte e njëjtë si për fëmijët ashtu edhe të rriturit.

Midis nxënësve të shkollës, nuk kishte asnjë ndryshim midis grup-moshave. Shumë fëmijë të shkollës fillore ishin të infektuar, po aq sa edhe fëmijët e shkollës së mesme. Ky zbulim kundërshtonte besimin e vjetër se fëmijët më të vegjël “kursehen” kryesisht nga infeksionet e SARS-CoV-2.

Virologu i shquar gjerman Kristian Drosten i Spitalit Universitar Charité në Berlin, qëkëshilloi qeverinë gjermane të mbyllë shkollat ​​gjatë bllokimit të parë të koronavirusit në pranverën e vitit 2020, beson se të dhënat nga studimi austriak janë “vërtet të rëndësishme, pasi konfirmojnë atë që po shihet në Angli”.

Studimi i fundit i madh në Mbretërinë e Bashkuar mbi fëmijët, dha rezultate të ngjashme. Nga mesi i nëntorit dhe deri në fillim të dhjetorit, nxënës të moshave nga 13-17 vjeç rezultuan më shumë pozitivë sesa çdo grupmoshë tjetër. Një në 50 nxënës rezultoi pozitiv për SARS-CoV-2.

Një e dhënë e studimit austriak është veçanërisht e spikatur nga pikëpamja socio-politike: Shkalla e infeksioneve të pazbuluara është dy herë më e lartë në zonat e varfra sesa në ato më të pasura. “Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që kushtet në shkollat ​​në zonat përkatëse janë të ndryshme. Por kjo dukuri mund të vijë për shkak të mjedisit shoqëror. Për shembull, prindërit që nuk mund të punojnë nga shtëpia, kanë më shumë gjasa t`i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë, edhe nëse ai apo ajo shfaq simptoma të lehta”-shpjegon Peter Vil i Universitetit Mjekësor të Insbrukut, që bashkë me Vagner, është një nga drejtuesit e konsorciumit kërkimor.

Në krye të shqetësimi është varianti i ri virusit, i quajtur B.1.1.7, që u identifikua për herë të parë në Britani, por që ka kohë që ka filluar të qarkullojë në vende të tjera, përfshirë Gjermaninë dhe Austrinë.

Ai duket se është 50-70 për qind më infektiv sesa virusi me të cilin jemi marrë deri tani. Gjithashtu, duket se B.1.1.7 përhapet më lehtë midis fëmijëve dhe adoleshentëve. “Unë kam dëgjuar shumë rreth asaj se si fëmijët janë më infektivë tani dhe kontribuojnë më shumë nëtransmetimin e virusit për shkak të variantit B.1.1.7”-shkroi në Twitter Depti Gurdasani, epidemiologe dhe mjeke në Universitetin Mbretëresha Meri në Londër.

Por, ajo shton se ishte“një mit”, pretendimi i deritanishëm se fëmijët nuk po e transmetonin sëmundjen. Gurdasani tha për “Der Spiegel”se provat janë kokëforta. “Është e qartë nga provat në të gjithë globin dhe brenda Mbretërisë së Bashkuar, se shkollat ​​kanë kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në transmetimin e virusit në komunitetit”-shprehet ajo.