Nga Mero Baze/

Komisioni Qendror I Zgjedhjeve në Kosovë, përjashtoi Albin Kurtin dhe 46 deputetë të tjerë, nga e drejta për të kandiduar, pas verfikimit që I bëri listave të paraqitura nga partitë politike. Albin Kurti dhe dy kandidatë të tjerë të “Vetvendosjes” janë përjashtuar pasi rezultojnë të dënuar nga Gjykata në Kosovë për vepra penale që i pengojnë të kandidojnë tre vite pa shlyerjes së dënimit. Vendimi I Gjykatës Kushtetuese që e saktëson këtë , është produkt I një padie nga “Vetvendosja” përmes të cilës ajo akuzoi një deputet që merrte pjesë në formimin e qeverisë Hoti dhe që kishte qenë I dënuar si Kurti.

Gjykata rrëzoi qeverinë Hoti, por njëherësh ky dënim vlen dhe për Albin Kurtin dhe dy kandidatë të tjerë të “Vetvendosjes”. Deri këtu gjithçka është në rregull. Ajo që është shqetësuese ka të bëj me reagimin e Albin Kurtit pas këtij vendimi. Në një deklaratë zyrtare të tij, ai tha se “institucionet e shtetit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit të vetëdijësuar si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës dhe jo t’i vihen përballë atij”. Kjo është ndoshta deklarata më e rënd që ka bërë një lider politik në rrugën drejt pushtetit. Zakonisht kryeministrat që e kanë të sigurt fitoren, flasin për një shtet të drejt, për institucione të forta, për drejtësi për të gjithë, dhe për qeverisje të ndershme.

Albin Kurti është I pari kanidatë për kryeministër që duket se e ka të sigurt shumicën, por që kërcënon institucionet e shtetit që do të jetë kryeministër, që ti nënshtrohen atij, dhe jo ligjit. Deklarata e tij se “institucionet e shtetit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit” është e ngjashme me çdo deklaratë dhe arsyetim të komunistëve ose fashistëve, që nga Musolini e Hitleri deri tek Enver Hoxha dhe Tito, që shikonin si problem në marrjen e plot të pushtetit, institucione të tilla si Gjykatat , parlamennti, Banka Qëndrore, apo çdo institucion tjetër që duhet të ruaj balancat në një shtet. Albin Kurti ka shfaqur hapur vullnetin e tij që tashmë shteti atje, duhet ti bjerë në gjunjë, dhe duhet të bëj çfarë thotë, e çfarë do ai dhe jo çfarë thotë ligji.

Për Albin Kurtin Gjykata Kushtetuese është e mirë dhe e dobishme, vetëm kur rrëzon qeverinë e kundërshtarit të tij, por jo dhe kur e lë këtë jashtë gare si të dënuar për kryerje të veprës penale. Për të parlamenti është armik dhe duhet gjunjëzuar me bomba tymuese e gaz lotsjellës, kur je në opozitë, dhe pastaj duhet ti bjerë në këmbë Albinit dhe të mbaj rregull, kur është shumica e tij. Për të Bankat në Kosovë pasi të vij ky në pushtet, duhet të japin kredi me urdhër të këtij sin ë kohë të Titos, “për punëtorë e fshatarë” dhe jo sipas ligjeve dhe logjikës financiare. Kjo deklaratë është dëshmi se në krye të Kosovës po vjen dikush që mendon se të gjithë duhet të ulen në gjunjë para tij, dhe ti thonë “na pri” në emër të vullnetit tënd.

E di se tani janë të gjithë euforik për fitoren e tij dhe këto deklarata të tij, I duken lajthitje, kurse ky shkrimi im “reaksionar”. Por fati I keq është se zgjedhjet janë në më pak se një muaj dhe ata që presin “shkapjen e shtetit”, do përballen shumë shpejt sipas kësaj logjike të liderit, me gjunjëzimin e shtetit para pushtetit të tij. Po vjen dita…