Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar një video të mjekëve të Urgjencës Kombëtare që shprehim vlerësimin për përfundimin e transformimit të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore. “MIRËMËNGJES. Dhe me kënaqësinë e përfundimit të programit të transformimit të plotë të flotës së Urgjencës Kombëtare, si edhe me krenarinë për 45 të rejat e të rinjtë që i janë shtuar shërbimit të urgjencës në territor dhe 300 punonjësit e rinj në shërbimin shëndetësor, të angazhuar krah për krah me ata më me përvojë, në këtë armatë shpëtimtarësh që në luftën me Armikun e Padukshëm po tregojnë vlerat më të mira të uniformës, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruhet në postimin e Ministres Manastirliu.
Ndërkohë që Dr. Skënder Brataj në videon e publikuar thotë se ky është plotësimi i një shërbimi të premtuar më parë dhe të realizuar në këtë periudhë pandemie. “Duke filluar nga hapat e para të këtij shërbimi kur ishim 3-4 veta dhe 3 ambulanca në Tiranë, sot mbërrijmë në pjesën e fundit të realizimit të këtij projekti me të gjitha së bashku, me personel, me ambulanca të reja, me pajisje të reja, me trajnim, me çdo gjë të plotësuar. Ky është plotësimi i një shërbimi të premtuar pak vite më parë dhe të realizuar në këtë periudhë pandemie. Aq më mirë që këto burime na duheshin me domosdo”, thotë Dr. Skënder Brataj, drejtori i QKUM.
Disa nga mjekët e Urgjencës Kombëtare thonë që këto ambulance janë si minispital për t’i shërbyer qytetarëve kudo ku ata kanë nevojë. “Nisur nga pajisjet dhe përbërja e ambulancave të reja tashmë mund të themi që çdo gjë që duhet të ofruar në banesë, në rrugë apo kudo ku ndodhet pacienti, është e mundur në këto ambulanca”“Sidomos në këto kushte që po jetojmë tani, këto aparatura na vijnë tej mase në ndihmë” “Këto janë të mirëpajisura. Le të themi janë një spital në miniaturë dhe normalisht në këtë situatë që mund të presim një emergjencë të mundshme këto do të shërbejnë jashtë mase për t’i dhënë ndihmë çdo pacienti”